Turizmi përtej kartolinës: Shqipëria, e fundit në BE për cilësinë e ujërave

Turizmi përtej kartolinës: Shqipëria, e fundit në BE për cilësinë e ujërave

Raporti i fundit i Agjencisë Evropiane të Mjedisit për vitin 2024 mbi cilësinë e ujërave të notimit është publikuar së fundmi. Në raport përfshihen të dhëna për bregdetin, liqenet dhe lumenjtë në të gjithë Evropën. Ai shoqërohet edhe me një hartë interaktive që ndihmon qytetarët të zgjedhin me vetëdije vendet më të përshtatshme për t’u larë.

Shqipëria në fund të listës evropiane

Përtej retorikës pozitive të qeverisë dhe pasqyrimeve në mediat kombëtare e ndërkombëtare, të cilat shpesh promovojnë imazhin e një destinacioni turistik “parajsor”, raporti i BE-së sjell një pamje krejt tjetër për cilësinë e ujërave në Shqipëri.

Vendi ynë renditet i fundit në Evropë për përqindjen e ujërave të notimit me cilësi të shkëlqyer. Sipas raportit, vetëm 16% e ujërave të monitoruar në Shqipëri arrijnë këtë standard. Në kontrast të fortë qëndron Qipro, me 99.2% të ujërave të saj të vlerësuar si “shkëlqyer”.

Në Shqipëri, 49.6% e ujërave për notim janë me cilësi të mirë, 11.8% vlerësohen si të pranueshme, ndërsa 22.7% kanë cilësi të dobët.

Rezultatet në nivel evropian

Nga gjithsej 22,127 zona të notimit të raportuara në Evropë për vitin 2024, 85% kishin ujëra me cilësi të shkëlqyer. Pesë vendet më të mira ishin: Qipro, Bullgaria, Greqia, Austria dhe Kroacia – ku mbi 95% e ujërave u vlerësuan si “shkëlqyer”.

Ndërkaq, në vende si Bullgaria, Malta, Luksemburgu, Rumania dhe Sllovenia, të gjitha ujërat për notim përmbushnin të paktën standardin minimal të pranueshmërisë.

Nga ana tjetër, më pak se 70% e ujërave për notim u klasifikuan si me cilësi të shkëlqyer në Belgjikë, Hungari, Estoni, Poloni dhe në fund të listës, Shqipëri.

Mungesa e transparencës: harta e padukshme

Ndërsa çdo vend anëtar i BE-së ka për detyrë të informojë publikun mbi cilësinë e ujërave për larje, Shqipëria dështoi të përmbushë këtë standard. Në raport, Agjencia Evropiane e Mjedisit e përmend faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ku teorikisht duhet të ndodhet harta përkatëse. Megjithatë, në momentin e aksesimit, faqja nuk ofron asnjë informacion konkret.

Raporti thekson gjithashtu se gjatë sezonit të notit është thelbësore të publikohen paralajmërime për ndotje të përkohshme, ndalesa për larje apo sinjalizime të tjera për rreziqe të mundshme – një praktikë që Shqipëria, në pjesën më të madhe, nuk e ndjek.

Ndërkohë, në media vërehet dominimi i artikujve të sponsorizuar me slogane si “ujëra të kristalta”, “perla e Ballkanit” apo “Maldivet e Evropës”, duke fshehur realitetin problematik që dëshmon raporti zyrtar.

Vetëm 19 pika uji të vlerësuara “shkëlqyer”

Në total, Shqipëria ka 119 zona të identifikuara për notim përfshirë bregdetin, liqenet dhe lumenjtë – që monitorohen zyrtarisht. Vetëm 19 prej tyre janë vlerësuar me cilësi të shkëlqyer. 59 pika kanë cilësi “të mirë”, 14 “të pranueshme”, dhe 27 të tjera rezultojnë me cilësi “të dobët”.

Të dhëna të tjera nga raporti

Në të gjithë Bashkimin Evropian, mbi 85% e ujërave të notimit në vitin 2024 u vlerësuan si me cilësi të shkëlqyer, ndërsa 96% përmbushën standardet minimale të kërkuara nga Direktiva për Ujërat e Notimit. Përkundër kësaj, rreth 1.5% e ujërave në BE u klasifikuan si me cilësi të dobët.

Raporti thekson se ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore vazhdon të jetë një problem i theksuar, që mund të përkeqësohet për shkak të ndryshimeve klimatike. Zbatimi i zgjidhjeve të qëndrueshme, përfshirë infrastruktura të kombinuara “blu dhe të gjelbra”, shihet si thelbësor për ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ujërave në zonat urbane të dendura.

Gjithashtu, ujërat bregdetare kanë prirje të jenë më të pastër se ato të brendshme. Në vitin 2024, rreth 89% e ujërave bregdetare në BE rezultuan me cilësi të shkëlqyer, krahasuar me 78% të liqeneve dhe lumenjve.