Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës me një njoftim të rëndësishëm për bjeshkatarët

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës me një njoftim të rëndësishëm për bjeshkatarët

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka lëshuar një paralajmërim për të gjithë bjeshkatarët dhe qytetarët që planifikojnë të vizitojnë zonat malore, veçanërisht në luginën e Valbonës, ku shumë shtigje janë ende të mbuluara me borë dhe akull, duke paraqitur rrezik të lartë për lëvizje.

Sipas njoftimit zyrtar, në këto kushte është thelbësore përdorimi i pajisjeve dimërore të sigurisë si: kazma alpiniste, kthetra, helmeta dhe pajisje të tjera teknike për ngjitje. ShkShMK apelon që aktivitetet malore të planifikohen me kujdes të shtuar, sidomos për ata që nuk kanë përvojën dhe pajisjet e duhura.

Shtigjet që mbeten në kushte dimërore përfshijnë:

  • Maja e Jezercës (shtegu i Bunit dhe disa pjesë jugperëndimore),
  • Maja e Grykave të Hapta (shtegu klasik, Briza dhe Qafa e Qetinës),
  • Maja e Lugbatit (shtegu nga Briza),
  • Maja e Hekurave (shtegu nga Qafa e Droqës),
  • Maja e Briasit,
  • Maja e Zhaboreve,
  • Si dhe shumë zona të tjera me orientim verior dhe veriperëndimor.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor tërheq vëmendjen se mosrespektimi i masave të sigurisë në këto zona mund të çojë në pasoja serioze. Qytetarët dhe bjeshkatarët këshillohen të shmangin shtigjet me rrezik të shtuar nëse nuk janë të përgatitur në mënyrë adekuate.


/Motilokal.com