Pas konfirmimit të rasteve me sëmundjen “Gjuha e Kaltër” në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masën e ndalimit të përkohshëm të importit të ruminantëve të vegjël, konkretisht deleve dhe dhive nga ky vend.
Ky vendim është marrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës.
AUV u bën thirrje fermerëve që i lëshojnë bagëtitë në zonat përgjatë brezit kufitar me Maqedoninë e Veriut, që të jenë të kujdesshëm, t’i mbikëqyrin tufat e tyre dhe të shmangin çdo kontakt me kafshë që mund të kenë ardhur nga territori i prekur.
Po ashtu, kërkohet bashkëpunim i të gjitha autoriteteve relevante, për të ndihmuar në zbatimin e masave kufizuese të lëvizjes së bagëtive në kullosat pranë kufirit.
Agjencia apelon që fermerët të zbatojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre, si dhe të respektojnë urdhëresat zyrtare për mbrojtjen e shëndetit të tufave.
Çfarë është “Gjuha e Kaltër”?
“Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virusale jo ngjitëse, që transmetohet vetëm përmes pickimit të insekteve të llojit Culicoides. Kjo sëmundje prek ruminantët shtëpiak (gjedhin, delet dhe dhitë), ku delja është më e ndjeshme, pasuar nga dhitë dhe gjedhi.
Shenjat klinike dhe ngordhjet paraqiten kryesisht te delet, ndërsa gjedhi vepron si rezervuar i virusit, pa shfaqur shenja të qarta të sëmundjes.
Kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit, dhe nuk përhapet nga kafsha në kafshë, por vetëm përmes insekteve.
AUV mbetet e mobilizuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është mobilizuar maksimalisht për të mbikëqyrur zbatimin e masave të vendosura, me qëllim që të parandalohet hyrja dhe përhapja e sëmundjes në vendin tonë.
Duke marrë parasysh se aktualisht në dy shtetet fqinje janë të pranishme dy sëmundje të ndryshme që prekin të njëjtat lloje kafshësh, AUV u bën thirrje të gjithë fermerëve që në rast të çdo ndryshimi në gjendjen shëndetësore të kafshëve në tufat e tyre, të kontaktojnë menjëherë veterinarin përkatës.
/Motilokal.com
