Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, ka ngritur shqetësimin për shtimin e aktiviteteve ilegale me mjete motorike në territorin e parkut, duke paralajmëruar masa të rrepta ligjore ndaj shkelësve.
Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme dhe takimeve të mbajtura me përfaqësues të Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, janë evidentuar raste të përsëritura të përdorimit të paligjshëm të terrenit të parkut për gara dhe lëvizje të motoçikletave e automjeteve për bjeshkëtari, si në prona publike ashtu edhe private.
Këto veprime po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në peizazhin natyror të zonës, ndotin mjedisin, kontribuojnë në përhapjen e mbeturinave dhe cenojnë habitatin e kafshëve të egra, duke rrezikuar rëndë biodiversitetin e Parkut Kombëtar “Sharri”.
Për të parandaluar këto ndërhyrje të paligjshme, AMMK ka ndërmarrë disa masa parandaluese si vendosja e shenjave informuese, shpërndarja e materialeve vetëdijësuese, bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe njoftimi i inspektorateve përkatëse. Megjithatë, këto masa deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura për ndalimin e aktiviteteve ilegale.
Si pasojë, AMMK njofton se në javët në vijim do të intensifikojë veprimet në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Masat e paralajmëruara përfshijnë shqyrtimin dhe shqiptimin e gjobave administrative, konfiskimin e mjeteve motorike dhe ngritjen e kallëzimeve penale ndaj personave përgjegjës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
AMMK dhe Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” u bëjnë thirrje të gjithë personave që janë të përfshirë në këto veprime që t’i ndalin menjëherë aktivitetet e tyre të paligjshme. Në të kundërtën, do të përballen me masa të rrepta ligjore.
/Motilokal.com
