IKSHPK apelon për kujdes me sigurinë e ushqimit gjatë temperaturave të larta

IKSHPK apelon për kujdes me sigurinë e ushqimit gjatë temperaturave të larta

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar me mënyrën e ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit gjatë ditëve me temperatura të larta.

Gjatë kësaj periudhe, rreziku për rritjen e baktereve në ushqim është më i lartë, çka mund të çojë në helmime dhe probleme të tjera shëndetësore. Prandaj, IKSHPK thekson rëndësinë e ruajtjes së freskisë së ushqimit, mbajtjes së kushteve higjieno-sanitare dhe përgatitjes së duhur të ushqimeve, si masa themelore për të parandaluar sëmundjet që vijnë nga konsumimi i ushqimit të kontaminuar.

“Kujdesi për sigurinë e ushqimit gjatë verës nuk është vetëm një zakon i mirë, por një nevojë jetike për shëndetin dhe mirëqenien e çdo individi”, thuhet në njoftimin e institutit.

IKShPK rekomandon ndjekjen e “5 çelësave për ushqim të sigurt”, një udhëzues i përgatitur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimet e kontaminuara.

Për më shumë këshilla dhe udhëzime praktike, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të IKSHhPK-së apo të ndjekin komunikimet zyrtare në rrjetet sociale.


/Motilokal.com