Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Malishevë, ka intensifikuar masat për parandalimin e djegieve të qëllimshme që shkaktojnë ndotje të ajrit dhe rrezikojnë përhapjen e zjarreve në zonat e banuara.
Në një rast të fundit të evidentuar më 25 qershor 2025, në Komunën e Malishevës, një person është identifikuar për ndezjen e qëllimshme të zjarrit në një hapësirë publike brenda një zone të banuar. Bazuar në Ligjin nr. 08/L-071, neni 49, paragrafi 1.7.9, ndaj tij është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 500 eurosh.
Policia rikujton se ndezja e mbeturinave apo materialeve të tjera është veprim i ndaluar me ligj, veçanërisht gjatë muajve të verës kur ekziston rreziku i shtuar për përhapjen e zjarrit, që mund të rrezikojë jetën dhe pronën e qytetarëve.
Apelojmë te të gjithë qytetarët që të shmangin praktikat e tilla dhe të bashkëpunojnë me autoritetet duke raportuar rastet e dyshimta në numrin emergjent 192 ose tek autoritetet lokale përkatëse.
Bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për mbrojtjen e mjedisit dhe garantimin e sigurisë publike.
/Motilokal.com
