Kompania KEDS ka njoftuar se pasditen e sotme, erërat e fuqishme që përfshinë disa rajone të Kosovës kanë shkaktuar dëme në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, duke ndikuar në ndërprerjen e furnizimit për një numër të konsumatorëve në komunën e Vitisë dhe në fshatrat përreth.
Sipas njoftimit, janë dëmtuar disa shtylla dhe përçues elektrikë, ndërsa në territorin e Vitisë janë goditur rëndë katër shtylla të konstruksionit të hekurt, çka ka sjellë vështirësi të mëdha në vazhdimësinë e furnizimit.
KEDS thekson se riparimi i këtyre shtyllave kërkon kohë, megjithatë, për të përshpejtuar procesin, janë angazhuar ekipe shtesë të terrenit me qëllim që energjia elektrike t’u rikthehet sa më shpejt konsumatorëve të prekur.
Kompania kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe siguron se po punohet me intensitet të lartë për të normalizuar situatën sa më parë.
/Motilokal.com
