Ministri në detyrë i Bujqësisë viziton zonat e goditura nga breshri në Kllokot dhe Viti

Ministri në detyrë i Bujqësisë viziton zonat e goditura nga breshri në Kllokot dhe Viti

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, së bashku me zëvendësministrat Imri Demelezi dhe Arsim Ademi, ka vizituar nga afër fermerët e prekur nga reshjet e dendura të breshrit që ranë pasditen e së dielës në disa zona të Kosovës, përfshirë Mogillën e Kllokotit dhe Skifterajn e Vitisë.

Ministria e Bujqësisë, në koordinim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe autoritetet komunale, ka nisur mobilizimin për evidentimin e dëmeve dhe reagimin institucional në zonat e prekura. Synimi kryesor është të sigurohet një përgjigje sa më e shpejtë dhe efikase ndaj nevojave të fermerëve që kanë pësuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore.

Në këtë kontekst, ministri Peci theksoi angazhimin për rikthimin e kompetencave për kompensimin e dëmeve natyrore brenda vetë Ministrisë së Bujqësisë, për të mundësuar një reagim më të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë ndaj rasteve të tilla.

“Ndajmë shqetësimin me çdo fermer të prekur, që me përkushtim dhe sakrificë punon çdo ditë për sigurinë ushqimore të vendit. Do të mbetemi të përkushtuar për një qasje të përgjegjshme e të koordinuar”, deklaroi ministri Peci.

Reshjet e dendura të breshërit shkaktuan dëme të mëdha në kulturat bujqësore, duke ngritur shqetësime serioze tek komuniteti bujqësor për pasojat afatshkurtra dhe afatgjata.


/Motilokal.com