“Mos dilni nga shtëpitë!” Përmbytje të frikshme në veri të Italisë

“Mos dilni nga shtëpitë!” Përmbytje të frikshme në veri të Italisë

Qyteti Bardonecchia në provincën e Torinos është goditur nga përmbytje të fuqishme, pasi lumi Frejus ka dalë nga shtrati për shkak të reshjeve të dendura. Uji ka përmbytur rrugët kryesore, duke bllokuar qarkullimin dhe detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e alarmit maksimal – pothuajse dy vite pas përmbytjes së madhe të gushtit 2023.

Kryetarja e Bashkisë, Chiara Rossetti, u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme:

“Mos dilni nga banesat, mos përdorni automjetet dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale”, tha ajo.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë rrugë të mbuluara nga uji dhe dëme materiale të konsiderueshme. Përmbytje janë regjistruar edhe në autostradën A32 Torino–Bardonecchia, ku është mbyllur dalja drejt zonës turistike në të dy drejtimet.

Ndërkohë, edhe lumi Dora ka dalë nga shtrati në pjesën e poshtme të qytetit, duke përmbytur rrugë të tjera dhe përkeqësuar situatën.


/Motilokal.com