Në muajt e fundit, raportimet për praninë e shtuar të gjarpërinjve në zonat urbane dhe rurale në Kosovë dhe Shqipëri kanë ngjallur shqetësim dhe kuriozitet tek qytetarët. Sa i rrezikshëm është ky fenomen? A kemi të bëjmë me ndonjë shpërthim të pazakontë të popullatës së gjarpërinjve apo thjesht me një reagim të natyrshëm ndaj kushteve klimatike?
Për të sqaruar këtë situatë, por edhe për të kuptuar më mirë rolin e gjarpërinjve në ekosistem, kemi realizuar një intervistë me biologun dhe profesorin Bujar Krasniqi, një prej njohësve më të mirë të faunës në vend. Në këtë bisedë, ai na shpjegon më shumë rreth llojeve të gjarpërinjve në Kosovë, dallimeve mes atyre helmues dhe johelmues, rëndësisë ekologjike që ata kanë dhe këshillat praktike për të shmangur kontaktin e rrezikshëm me ta.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Çfarë janë gjarpërinjtë?
Gjarpërinjtë bëjnë pjesë në grupin e zvarranikëve, të cilët dallohen nga shtazët e tjera me disa veçori.
Trupi i tyre është i mbuluar me luspa. Shumimi i tyre bëhet me vezë, me përjashtim të disa llojeve të hardhucave, si Lacerta vivipara, që lindin të gjalla.
Sa i përket temperaturës trupore, ata janë shtazë poikilotermike, që do të thotë se temperatura e trupit të tyre varet nga temperatura e mjedisit ku jetojnë. Për këtë arsye, gjarpërinjtë nuk janë aktivë gjatë muajve të dimrit.
Këtë verë, gjarpërinjtë po shfaqen më shpesh se zakonisht dhe njerëzit po i hasin gjithandej, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Cilat janë arsyet e këtij numri të madh të shfaqjeve? A kemi të bëjmë me ndonjë fenomen natyror, ndikim klimatik apo diçka tjetër?
Gjatë hulumtimit tim për këtë vit, nuk është vërejtur ndonjë rritje e dukshme e numrit të gjarpërinjve krahasuar me vitet e kaluara.
Megjithatë, ekzistojnë disa faktorë ekologjikë që mund të ndikojnë në shtimin e individëve, për shembull:
- Nëse gjatë pranverës ka pasur më shumë reshje shiu.
- Pakësimi i shtazëve që ushqehen me gjarpërinj dhe që ndihmojnë në mbajtjen e numrit të tyre konstant në ekosistemet natyrore, si: dhelpra e kuqe, huta (Buteo buteo), iriqi, vjedulla dhe gjeraqina (Accipiter nisus).
- Faktorë të tjerë klimatikë dhe biotikë.
Ky nuk është ndonjë fenomen i pazakontë, por lidhet edhe me temperaturat e larta që po mbizotërojnë në këtë periudhë. Prandaj është krejtësisht normale që të vërehen më shumë gjarpërinj gjatë kësaj kohe.
Sa lloje gjarpërinjsh ka në Kosovë?
Edhe pse për shumëkënd gjarpërinjtë shkaktojnë frikë apo ndjesi të pakëndshme, ata janë një pjesë e rëndësishme e ekosistemit tonë.
Kosova, me larmishmërinë e saj të habitatëve, strehon disa lloje gjarpërinjsh si helmues ashtu edhe johelmues, të cilët luajnë rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit natyror.

Gjarpërinjtë helmues të hasur në vendin tonë janë:
- Vipera ammodytes – i njohur si hundraku,
- Vipera berus – apo shlliga,
- Vipera ursinii, si dhe nënllojet e saj, përfshirë Vipera ursinii macrops, një lloj i evidentuar për herë të parë në Kosovë vitin e kaluar nga biologët M.Sc. Bujar Krasniqi dhe Driton Berisha. Ky lloj është gjetur në zonën e Brodit, në një lartësi mbi 2100 metra mbi nivelin e detit.
Ndërsa gjarpërinjtë johelmues përfshijnë:
- Zamenis longissimus – bolla,
- Coronella austriaca,
- Natrix natrix – i njohur si gjarpri i kënetave,
- Natrix tessellata – që jeton pranë burimeve ujore si lumenjtë dhe liqenet,
- Dolichophis caspius – i njohur ndryshe si shigjeta e gjatë.
Cilat janë ndryshimet kryesore mes gjarpërinjve helmues dhe johelmues?
Dallimet mes gjarpërinjve helmues dhe johelmues janë të dallueshme në disa aspekte fizike dhe të sjelljes.
Gjarpërinjtë helmues zakonisht janë më të shkurtër, por më të trashë në krahasim me ata johelmues. Për shembull, gjarpërinjtë helmues mund të arrijnë një gjatësi deri në 90 cm, ndërsa disa lloje johelmues, si Zamenis longissimus, mund të arrijnë deri në 2 metra gjatësi.
Tek gjarpërinjtë helmues, veçanërisht ata të familjes së viperave, koka ka formë trekëndëshe. Ndërsa te llojet johelmues, forma e kokës është më e rrumbullakët dhe më pak e dallueshme nga pjesa tjetër e trupit.
Prof. Krasniqi, a mund të na tregoni se në çfarë lloj habitatësh jetojnë zakonisht gjarpërinjtë?
Gjarpërinjtë jetojnë në habitate të ndryshme, duke përfshirë ekosistemet natyrore si pyjet, livadhet, kullotat alpine dhe subalpine.
Llojet ujore të gjarpërinjve jetojnë në ekosistemet ujore ose pranë tyre, si në brigjet e lumenjve, liqeneve apo kënetave.
Vendet më të përshtatshme për ta përfshijnë:
- zonat me barishte të gjata,
- vende me shkëmbinj dhe gurë,
- si dhe hapësira ku ka mbeturina plastike, të cilat shpesh krijojnë strehë të përkohshme për ta.
A kanë gjarpërinjtë ndonjë rol të rëndësishëm në ekosistem?
Gjarpërinjtë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ekosistemet natyrore. Ata ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të numrit të brejtësve, si për shembull minjve, duke kontribuar në ruajtjen e shëndetit të ekosistemeve.
Përveç kësaj, në zinxhirin ushqimor, gjarpërinjtë shërbejnë si ushqim për shumë lloje të tjera shtazësh, duke përfshirë zogj grabitqarë, gjitarë dhe madje edhe gjarpërinj të tjerë.
Sa të rrezikshëm janë vërtet gjarpërinjtë për njerëzit dhe cilat janë shenjat që tregojnë se një gjarpër është helmues?
Gjarpërinjtë mund të paraqesin rrezik për njeriun vetëm në raste kur nuk tregohet kujdes gjatë qëndrimit në natyrë.
Kafshimet nga gjarpërinjtë zakonisht ndodhin kur ata shkelën aksidentalisht apo kur njerëzit ulen në vende ku ata qëndrojnë të fshehur. Në këto raste, gjarpërinjtë reagojnë në vetëmbrojtje.
Frika nga gjarpërinjtë është e përhapur. A është kjo frikë e justifikuar dhe si mund të ndryshojmë këtë perceptim?
Frika nga gjarpërinjtë shpesh është e tepruar dhe e pabazuar, duke shkaktuar një panik të panevojshëm kur i shohim në natyrë.
Në fakt, shumica e gjarpërinjve nuk janë agresivë dhe shmangin kontaktin me njerëzit, prandaj duhet të mësojmë t’i respektojmë dhe të mos i trembemi pa arsye.
A janë gjarpërinjtë të mbrojtur me ligj në vendin tonë? Nëse po, çfarë parashikon ligji për ta?
Në Kosovë nuk kemi lloje gjarpërinjsh të mbrojtura me ligj në mënyrë specifike, por disa nga habitatet ku ata jetojnë janë të mbrojtura ligjërisht, siç janë parqet kombëtare, përfshirë Parkun e Gërmisë.
Në këto zona është e ndaluar mbytja e llojeve shtazore dhe dëmtimi i florës, për të ruajtur ekosistemet natyrore dhe biodiversitetin.
Sa e rëndësishme është edukimi i publikut për rolin që kanë gjarpërinjtë në natyrë?
Edukimi i publikut për ruajtjen e natyrës dhe faunës ka një rëndësi të madhe për jetën tonë.
Në këtë kontekst, informimi mbi rolin dhe rëndësinë e gjarpërinjve për ekosistemet natyrore është thelbësor për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të siguruar mbrojtjen e tyre.
Çfarë këshillash do t’u jepnit qytetarëve për të shmangur kontaktin e panevojshëm apo të rrezikshëm me gjarpërinjtë?
Gjarpërinjtë janë pjesë natyrale e ekosistemit, por për të qëndruar të sigurt gjatë ecjeve në natyrë, është mirë të dini si të veproni nëse hasni një gjarpër.
Nëse e shihni gjarprin dhe ai largohet, mos e ndiqni dhe mos e kapni me dorë.
Mos e kapni për bisht dhe nëse keni shkop, mund ta largoni gjarprin me ndihmën e shkopit, pa u afruar shumë.
Masat për të shmangur takimet me gjarpërinj:
Vishni rroba dhe këpucë të përshtatshme
Përdorni pantallona të gjata dhe çizme të trasha në vende me bar të gjatë, gurë apo pyje.
Shmangni ecjen zbathur ose me sandale.
Shikoni ku shkelni dhe ku uleni
Kontrolloni mirë nën gurë, trarë, shkurre apo gjethe para se të uleni apo prekni diçka.
Mos vendosni dorën në vrima ose hapësira të errëta ku nuk shihni qartë.
Lëvizni me kujdes dhe bëni zhurmë
Kur ecni në terren me bar të gjatë ose të thatë, bëni zhurmë me hapa ose me shkop për t’i paralajmëruar gjarpërinjtë.
Mos lëvizni papritur në terren të panjohur.
Kujdes gjatë motit të nxehtë
Gjarpërinjtë janë më aktivë në pranverë dhe verë, veçanërisht në mëngjes dhe mbrëmje.
Shmangni ecjet në orët kur toka është shumë e ngrohtë.
Mos i afrohuni vendbanimeve të tyre
Shmangni zonat me bar të gjatë, shkëmbinj të mëdhenj, kashtë, shkurre të dendura, përrenj dhe vende afër ujit ose me gropa të errëta.
Mos i provokoni gjarpërinjtë
Nëse takoni një gjarpër, mos u afroni, mos e prekni dhe mos e provokoni.
Ata nuk sulmojnë nëse nuk ndihen të kërcënuar.
/Motilokal.com
