Temperatura të larta, rritet rreziku i zjarreve – Policia e Kosovës me apel për qytetarët

Temperatura të larta, rritet rreziku i zjarreve – Policia e Kosovës me apel për qytetarët

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët lidhur me rrezikun e zjarreve gjatë këtyre ditëve të nxehta vere. Pas disa rasteve të raportuara së fundmi në komunat e Ferizajt, Shtimes dhe Hanit të Elezit, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin dhe parandalimin e zjarreve në të gjithë rajonin.

Në koordinim të ngushtë me institucionet lokale dhe agjencitë përkatëse, Policia ka angazhuar personel të mjaftueshëm për të reaguar me efikasitet ndaj çdo situate të mundshme. Aktualisht nuk ka ndonjë vatër aktive zjarri, por rreziku mbetet i lartë për shkak të temperaturave ekstreme dhe erërave të thata.

Policia apelon që qytetarët të shmangin djegien e mbeturinave, hapësirave bujqësore apo pyjore, pasi pasojat e zjarreve mund të jenë të rënda dhe me rrezik të madh për jetën, mjedisin dhe pronën.

“Do të veprojmë pa kompromis ndaj çdo personi që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo nga pakujdesia”, thuhet në apelin e Policisë Rajonale të Ferizajt.

Personat që kryejnë zjarrvënie të qëllimshme apo si pasojë e neglizhencës, do të përballen me pasoja ligjore dhe ndjekje penale sipas legjislacionit në fuqi.

Policia fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo rast të dyshuar për zjarrvënie në stacionin më të afërt të policisë ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë.”

Numrat për raportim:

192

0290 / 326 – 250

0290 / 322 – 406

Policia garanton konfidencialitet të plotë për çdo informacion të raportuar.

Së bashku mund ta mbrojmë ambientin, shëndetin dhe sigurinë tonë!

/Motilokal.com