IKSHPK: 90% e zjarreve shkaktohen nga njeriu – rrezik serioz për shëndetin, mjedisin dhe komunitetin

IKSHPK: 90% e zjarreve shkaktohen nga njeriu – rrezik serioz për shëndetin, mjedisin dhe komunitetin

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka ngritur alarmin për rritjen e rasteve me zjarre në vend, duke theksuar se mbi 90% e tyre shkaktohen nga faktori njeri. Shkaqet më të zakonshme përfshijnë djegien e barishteve dhe mbeturinave, hedhjen e cigareve të ndezura, përdorimin e flakëve të pakontrolluara dhe zjarret e qëllimshme apo ato të shkaktuara nga pakujdesia.

Sipas IKSHPK-së, pasojat e zjarreve janë të shumta dhe të rënda:

Rrezik për shëndetin – Zjarret rrisin ndotjen e ajrit (PM2.5), dëmtojnë mushkëritë dhe zemrën, veçanërisht tek fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ekspozimi ndaj tymit mund të shkaktojë helmim nga monoksidi i karbonit dhe substanca të tjera toksike.

Dëmtime në mjedis – Zjarret shkatërrojnë pyjet, tokat bujqësore, florën dhe faunën vendase, duke rrezikuar biodiversitetin dhe përshpejtuar ndryshimet klimatike.

Rrezik për komunitetin – Përveç rrezikut fizik, zjarret shkaktojnë dëme të mëdha materiale, përfshirë shtëpi, infrastrukturë dhe pasuri bujqësore, duke sjellë pasoja të rënda ekonomike për familjet dhe fermerët.

IKSHPK apelon për vigjilencë të shtuar dhe parandalim aktiv nga ana e qytetarëve. Rekomandohet:

  • Të mos digjen barishte apo mbeturina në ambiente të hapura, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta.
  • Të shmanget përdorimi i zjarrit në natyrë dhe hedhja e cigareve të ndezura në tokë.
  • Të ruhen materialet e djegshme në vende të sigurta dhe larg hapësirave të frekuentuara nga njerëzit.
  • Nëse ndizet zjarr për ndonjë qëllim, ai duhet shuar plotësisht para largimit.

Në rast të shpërthimit të një zjarri të pakontrolluar, qytetarët duhet të lajmërojnë menjëherë shërbimet emergjente në numrin 112.

/Motilokal.com