Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti ka dhënë një mesazh të qartë për qytetarët në prag të pikut të sezonit turistik. Ai thekson se vera nuk sjell vetëm ditë me diell dhe pushime, por edhe rreziqe të shtuar për shëndetin publik.
I ftuar në një emision televiziv, Alimehmeti foli për shtimin e rasteve me infeksione bakteriale dhe virale gjatë muajve të verës.
“Temperaturat e larta dhe lëvizshmëria më e madhe e popullsisë krijojnë kushte ideale për përhapjen e sëmundjeve infektive”, tha ai. Sipas tij, kontaktet e shpeshta mes njerëzve, qëndrimi i zgjatur në ambiente të hapura dhe konsumimi i ushqimeve apo ujit të kontaminuar janë ndër faktorët kryesorë të rrezikut.
Një nga burimet më të zakonshme të infeksioneve është uji i ndotur, i cili, sipas mjekut, mund të shkaktojë probleme serioze gastrointestinale dhe infeksione të lëkurës.
“Uji sipërfaqësor që përdoret për larje apo përgatitjen e ushqimeve mund të jetë i kontaminuar. Te fëmijët, shpesh shfaqen infeksione të veshit dhe të lëkurës pas ekspozimit në këto ambiente”, paralajmëroi ai.
Alimehmeti shtoi se infeksionet gastrointestinale të shkaktuara nga ushqimet e prishura ose me përmbajtje të lartë yndyre manifestohen shpejt me simptoma si marramendje, të përziera dhe diarre. Në raste të lehta, trajtimi mund të bëhet në kushte shtëpie, por kur simptomat zgjasin, kërkohet patjetër ndërhyrje mjekësore.
Duke u ndalur te fëmijët, mjeku theksoi se prindërit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur vërejnë plagë në fytyrë apo gojë, pasi ato mund të jenë shenja të infeksioneve serioze që kërkojnë trajtim të menjëhershëm nga mjekët.
/Motilokal.com
