Dy turistë helmohen nga një bimë në malin e Korabit, ndërhyn SHKSHMK-ja

Dy turistë helmohen nga një bimë në malin e Korabit, ndërhyn SHKSHMK-ja

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (SHKSHMK) ka njoftuar se sot ka pranuar një thirrje urgjente për ndihmë pas një incidenti në malin e Korabit.

Sipas njoftimit, një banor vendas shqiptar dhe një turist me shtetësi gjermane kanë konsumuar gabimisht një bimë helmuese, tashmë e identifikuar, duke pësuar përkeqësim të menjëhershëm dhe të rëndë të gjendjes shëndetësore.

“Fatmirësisht, njëri nga turistët ishte i vetëdijshëm dhe kishte sinjal telefonik, duke arritur të kontaktojë shërbimet emergjente dhe të dërgojë koordinatat e saktë të vendndodhjes së tyre”, thuhet në komunikatën e SHKSHMK-së.

Dy anëtarë të këtij shërbimi ndodheshin pranë zonës dhe, pas marrjes së njoftimit, janë nisur menjëherë drejt lokacionit. Aty iu ofrua ndihma e parë dhe u mbajtën nën kujdes të vazhdueshëm, por për shkak të gjendjes kritike të të helmuarve, u kërkua ndërhyrje nga ajri.

“Autoritetet shqiptare reaguan pa vonesë, duke nisur një ekip mjekësor dhe shpëtues nga njësia ajrore. Me të mbërritur në vendngjarje, ata ndërhynë, me procedurat emergjente dhe i evakuuan të prekurit drejt Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë,” përfundon njoftimi.


/Motilokal.com