Ndryshimi i klimës pothuajse trefishoi numrin e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë në qytetet e mëdha evropiane gjatë një vale ekstreme të të nxehtit nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut, sipas një studimi të ri të botuar të mërkurën.
Shkencëtarët nga Britania e Madhe, Danimarka, Holanda dhe Zvicra analizuan kushtet në 12 qytete të mëdha evropiane midis 23 qershorit dhe 2 korrikut.
Studimi nga Imperial College London dhe London School of Hygiene and Tropic Medicine përfshinte Barcelonën, Madridin, Londrën dhe Milanon, ndër të tjera, ku studiuesit thanë se ndryshimi i klimës kishte rritur temperaturat e valës së të nxehtit deri në katër gradë Celsius.
Ata vlerësojnë se rreth 2,300 njerëz vdiqën nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë gjatë periudhës dhjetë ditore, me rreth dy të tretat e vdekjeve, afërsisht 1,500, që i atribuohen ndryshimeve klimatike.
Temperaturat në shumë qytete u rritën në nivele ekstreme gjatë kësaj periudhe, shpesh duke tejkaluar 40 gradë Celsius.
Pa ngrohjen globale, e cila sipas studimit ka rritur temperaturat gjatë ditës në qytete me një deri në katër gradë Celsius shtesë, rreth 800 njerëz do të kishin vdekur nga nxehtësia, sipas llogaritjeve të shkencëtarëve.
Për analizën, ekipi krahasoi temperaturat aktuale të regjistruara në qytete gjatë asaj periudhe me vlerat e modeluara që do të kishin ndodhur pa ndryshimin e klimës. Më pas ata llogaritën numrin e pritur të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë për të dy skenarët.
Vala e të nxehtit e kohëve të fundit ka goditur veçanërisht grupet vulnerabël, siç janë njerëzit me probleme shëndetësore paraprake dhe të moshuarit.
Sipas ekipit, 88% e vdekjeve të vlerësuara ndodhën tek njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.
/Motilokal.com
