Gjirokastra feston 20-vjetorin e shpalljes si pasuri botërore e UNESCO-s – Rama ndan pamje nga qyteti historik

Gjirokastra feston 20-vjetorin e shpalljes si pasuri botërore e UNESCO-s – Rama ndan pamje nga qyteti historik

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të martë, më 15 korrik, disa pamje nga Gjirokastra, në 20-vjetorin e shpalljes së saj si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama shoqëroi fotot me një mesazh të shkurtër: “Mirëmëngjes, dhe nga Gjirokastra që kremton 20-vjetorin si pasuri botërore në UNESCO dhe përjetësisht pasuri e shpirtit, ju uroj ditë të mbarë!”

Gjirokastra, qytet i lashtë i ndërtuar mbi gurë, u përfshi në listën e UNESCO-s në vitin 2005, falë arkitekturës së saj unike, kalasë monumentale, rrugicave me kalldrëm dhe trashëgimisë së pasur kulturore, ku ndërthuren ndikimet otomane me ato shqiptare.

Kryeministri Rama promovon shpesh qytete historike dhe destinacione kulturore të Shqipërisë përmes fotove, videove dhe mesazheve që synojnë të nxisin vëmendjen ndaj vlerave të trashëgimisë kombëtare.

Përtej rëndësisë historike, Gjirokastra është sot një prej destinacioneve më tërheqëse turistike në vend, duke mirëpritur çdo vit vizitorë vendas e të huaj që mahniten nga bukuria autentike e qytetit.


/Motilokal.com