U paralajmërua para më shumë se një viti - çfarë ndodhi me rimbursimin e shisheve?

U paralajmërua para më shumë se një viti - çfarë ndodhi me rimbursimin e shisheve?

Ka kaluar më shumë se një vit që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) njoftoi me entuziazëm një nismë të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit, e cila parashikon rimbursimin e qytetarëve që kthejnë shishet e riciklueshme. Kjo masë kishte për qëllim të nxisë qytetarët të kontribuojnë në reduktimin e mbetjeve plastike dhe të krijojë një ambient më të pastër e më të shëndetshëm.

Megjithatë, pavarësisht pritshmërive të mëdha dhe paralajmërimeve zyrtare, kjo iniciativë ende nuk është zbatuar në praktikë. Kjo vonesë ka shkaktuar shqetësim dhe pakënaqësi jo vetëm tek qytetarët, por edhe tek organizatat që angazhohen për mbrojtjen e ambientit.

Në këtë situatë, është thelbësore që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë për avancimin e projektit, duke siguruar transparencë dhe duke përfshirë në dialog të gjitha palët e interesuara. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një rezultat efektiv që do të kontribuojë në ruajtjen e mjedisit.

Motilokal.com i ka drejtuar Ministrisë së Mjedisit pyetje lidhur me arsyet e vonesës dhe sfidat në zbatimin e sistemit të rimbursimit të depozitave për shishet plastike dhe kanaçet, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare apo sqarim nga ana e ministrisë. Kjo mungesë komunikimi dhe transparence ngre shqetësime për seriozitetin dhe përkushtimin institucional ndaj një problemi kaq të rëndësishëm mjedisor dhe social.

Ndërkohë, edhe pse sistemi nuk është futur ende në funksion, qytetarët kanë qëndrime të ndryshme për këtë iniciativë. Disa shprehen të gatshëm të marrin pjesë në procesin e kthimit të shisheve, duke theksuar përfitimet financiare, veçanërisht për personat me të ardhura të ulëta, si pensionistët. Ata theksojnë se, në mungesë të një skeme të tillë, shumica e shisheve përfundojnë në mbeturina.

Nga ana tjetër, një pjesë tjetër e qytetarëve nuk tregojnë interes për ruajtjen apo kthimin e ambalazheve, duke i hedhur ato menjëherë pas përdorimit.

Linda Çavdarbasha, ekologe, në një prononcim për Motilokal.com u shpreh: “Kosova ende nuk ka filluar zbatimin e sistemit të rimbursimit të depozitave për shishet plastike, kanaçet dhe ambalazhet prej qelqi, ndonëse ishte paraparë në Udhëzimin Administrativ. Kjo vonesë lidhet me procedurat e përcaktuara në UA, të cilat kërkojnë një koordinim të plotë mes prodhuesve, shitësve me pakicë dhe importuesve.

“Sipas udhëzimit, duhet të certifikohet një administrator që do të menaxhojë të gjithë skemën dhe që do të licencohet nga MMPHI. Shumë faktorë mund të kenë ndikuar në moszbatimin e skemës së rimbursimit, si mungesa e një marrëveshjeje mes sektorit privat për udhëheqjen e sistemit, koha e shkurtër për zbatim, mungesa e gatishmërisë për të kontribuar në këtë ndryshim, si dhe mungesa e vullnetit institucional për të shtyrë përpara këtë proces”, tha ekologia Çavdarbasha.

Tutje, ajo theksoi se ndryshimet e shpeshta në strukturat drejtuese të MMPHI-së kanë ndikuar negativisht në vazhdimësinë politike të kësaj nisme.

“Për të pasur një sistem të suksesshëm të rimbursimit të depozitave, nevojitet një shoqëri e vetëdijshme që e kupton rëndësinë e kthimit të ambalazheve. Deri më tani, fushatat sensibilizuese kanë qenë të pakta, prandaj duhet të punohet paralelisht edhe në këtë drejtim”, përfundoi ajo.

/Motilokal.com