Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në një zonë malore të Kosovës, ku një familje që po shijonte një ditë pikniku në natyrë është përballur me një ari.
Sipas raportimeve, familja ishte duke përgatitur fli në ambient të hapur kur aroma e ushqimit duket se tërhoqi kafshën e egër. Ariu iu afrua vendit ku ishte shtruar sofra, ndërsa situata është filmuar nga vetë pjesëtarët e familjes.
Ajo që e bën rastin të veçantë është reagimi i familjarëve, në vend që të panikoheshin, ata ruajtën qetësinë dhe me vendosmëri larguan ariun, i cili u tërhoq drejt pyllit pa shkaktuar ndonjë incident.
Videoja e momentit tashmë po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen për mënyrën e qetë dhe të matur me të cilën familja e menaxhoi situatën.
Fatmirësisht, askush nuk është lënduar gjatë përballjes.
Ekspertët e mjedisit theksojnë rëndësinë e ruajtjes së qetësisë në raste të tilla dhe këshillojnë qytetarët që të shmangin lënien e ushqimeve të hapura në natyrë, pasi ato mund të tërheqin kafshë të egra dhe të shkaktojnë situata të rrezikshme.
/Motilokal.com
