Sekonda larg tragjedisë: Dy aeroplanë për pak sa nuk përplasen “kokë më kokë” në ajër

Sekonda larg tragjedisë: Dy aeroplanë për pak sa nuk përplasen “kokë më kokë” në ajër

Një incident ajror me potencial katastrofik është regjistruar mbi hapësirën ajrore të Republikës së Tuvas, një rajon malor në Siberinë jugore, pranë kufirit me Mongolinë.

Dy aeroplanë kinezë, një pasagjerësh i kompanisë Air China dhe një transportues mallrash i SF Airlines – janë gjendur në një distancë alarmuese nga njëri-tjetri, duke rrezikuar një përplasje frontale që mund të kishte rezultuar fatale për qindra njerëz.

Fluturimi i Air China me numër CA967 ishte nisur nga aeroporti i Shangait (Pudong) drejt Milanos (Malpensa), një itinerar që zakonisht mbart një numër të madh pasagjerësh europianë dhe italianë. Ndërkohë, aeroplani cargo i SF Airlines, me numrin O3-128, po udhëtonte nga Budapesti për në qytetin Ezhou të Kinës.

Sipas të dhënave paraprake, dy aeroplanët u afruan në një distancë vertikale prej vetëm 90 deri në 120 metrash, ndjeshëm më pak se distanca e rekomanduar e sigurisë, e cila në raste të tilla duhet të jetë disa qindra metra. Dyshohet se fluturimi i Air China ndryshoi lartësinë pa lejen e kontrollit të trafikut ajror rus.

Për fat të mirë, falë reagimit të shpejtë të pilotëve dhe kontrollorëve të trafikut ajror, përplasja u shmang në sekondat e fundit. Autoritetet ruse dhe kineze kanë nisur hetimet për të zbardhur nëse incidenti ishte pasojë e një gabimi njerëzor apo defekti teknologjik.

/Motilokal.com