Arkeologët pohojnë se në anën shqiptare të Liqenit të Ohrit kanë gjetur prova të vendbanimit më të vjetër njerëzor në një liqen evropian, që supozohet se është deri në tetë mijë vjeç.
Një grup shkencëtarësh nga Zvicra dhe Shqipëria kalojnë tre orë nën ujë çdo ditë duke hequr me shumë kujdes shtyllat prej druri që mbanin shtëpitë, raporton Reuters.
Arkeologët atje gjejnë gjithashtu eshtra të kafshëve shtëpiake dhe të egra, objekte bakri dhe qeramikë me gdhendje të detajuara.
Albert Hafner i Universitetit të Bernës tha se vendbanime të ngjashme janë gjetur në rajonet alpine dhe mesdhetare, por se vendbanimi në Lin të Shqipërisë është gjysmë mijëvjeçari më i vjetër, duke datuar në një periudhë midis gjashtë dhe tetë mijë vjet më parë.
"Materiali organik është i ruajtur mirë sepse është nën ujë, dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë kanë ngrënë këta njerëz, çfarë kanë mbjellë", tha Hafner.
Disa studime tregojnë se Liqeni i Ohrit, i vendosur midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është liqeni më i vjetër në Evropë, më shumë se një milion vjeç.
Mosha e gjetjeve përcaktohet me anë të datimit radioizotopik dhe dendrokronologjisë, e cila numëron unazat e pemëve. Më shumë se një mijë mostra druri u mblodhën nga vendi.
Besohet se vendbanimi, i cili mund të ketë strehuar disa qindra njerëz, mbulon rreth gjashtë hektarë dhe se tani, pas gjashtë vitesh pune, është gërmuar vetëm rreth 1 për qind e materialit të përgjithshëm.
/Motilokal.com
