Për vite me radhë, mjekët kanë theksuar se pirja e duhanit gjatë shtatzënisë nuk është e shëndetshme as për nënën dhe as për fëmijën dhe mund të ndikojë në zhvillimin e foshnjës në mitër. Por tani ata i kanë shtuar këtij paralajmërimi edhe një paralajmërim tjetër, cigaret elektronike janë po aq të dëmshme.
Një studim i publikuar në revistën PLOS One zbuloi se ekspozimi ndaj dy përbërësve të lëngshëm në cigaret elektronike mund të ndryshojë formën e kafkës gjatë zhvillimit të fetusit.
Shkencëtarët në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Ohajos kryen një seri eksperimentesh mbi minj, në të cilat i ekspozuan minjtë shtatzëna ndaj një kombinimi të dy lëngjeve të përdorura në "avullim", 50% propilen glikol dhe glicerol (i quajtur edhe glicerinë bimore) ose 30% propilen glikol dhe 70% glicerol (30/70 PG/VG). Konkretisht, shumë kompani të cigareve elektronike kanë braktisur përqindjen e lartë të propilen glikolit dhe kanë kaluar në përdorimin e një përqindjeje më të lartë të glicerolit, me qëllim që ta pozicionojnë atë si një alternativë më të sigurt.
Minjtë femra iu ekspozuan ajrit të filtruar ose një kombinimi të këtyre dy kimikateve për katër orë në ditë, pesë ditë në javë gjatë shtatzënisë. Shkencëtarët më pas zbuluan se pasardhësit e këtyre femrave peshonin më pak dhe lindnin me kafka më të vogla dhe më të ngushta.
Siç thekson autori kryesor i studimit, profesori i anatomisë James Cray, rezultatet e eksperimentit e habitën atë dhe ekipin e tij, sepse gjatë testeve, nikotina nuk ishte e pranishme në këto lëngje, të cilat ekipi i tij i kishte përcaktuar më parë se mund të shkaktojnë defekte të kafkës (më së shpeshti çarje të buzës dhe qiellzës).
"Ajo që shohim është një ngushtim i vazhdueshëm i të gjitha tipareve të fytyrës, dhe e njëjta gjë ndodh kur kthehemi te kafka. Pra, ato janë më të ngushta globalisht dhe kanë një kokë pak më të shkurtër, gjë që imiton disa nga ndryshimet e dukshme që shohim te fëmijët", tha Cray. "Ne gjithashtu pamë një ulje të lehtë të peshës. Këto kafshë ishin brenda diapazonit normal për kafshët e asaj moshe, por ato prapë peshonin më pak."
Edhe pse studiuesit vazhdojnë të studiojnë efektet shëndetësore të përbërësve të shumtë të zbuluar në cigaret elektronike, shumë të panjohura mbeten ndërsa produktet rriten në popullaritet.
"Shumica e përdoruesve janë të rinj dhe adoleshentë, kështu që po flasim për njerëz që janë në kulmin e viteve të tyre riprodhuese. Dhe për shkak se zhvillimi i kokës ndodh shumë herët në zhvillimin e fetusit, gratë mund t'i përdorin këto produkte pa e kuptuar fare se janë shtatzënë, gjë që është shumë shqetësuese", tha Cray.
Ai shtoi se, megjithëse ky është një studim i vogël, sugjeron që produktet pa nikotinë duhet të studiohen të paktën aq sa produktet me nikotinë për të kuptuar se si ato mund të ndikojnë në trupin e njeriut.
/Motilokal.com
