Aksion në Brezovicë: Hiqen kamp-shtëpizat e vendosura pa leje

Aksion në Brezovicë: Hiqen kamp-shtëpizat e vendosura pa leje

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka filluar një aksion për sekuestrimin e kamp-shtëpizave të lëvizshme që janë vendosur në mënyrë të kundërligjshme në zonën e Ski Qendrës Brezovicë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ky aksion po zhvillohet në bashkëpunim të plotë me Inspektoratin Komunal në Shtërpcë dhe me asistencën e Policisë së Kosovës – Stacioni në Shtërpcë.

Theksohet se kjo ndërhyrje është pjesë e masave të rregullta për largimin e aktiviteteve ilegale brenda zonës së mbrojtur të parkut dhe se veprimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim ndaj të gjithë personave që veprojnë në kundërshtim me ligjin.

“Ftojmë qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë ligjet dhe institucionet përkatëse, në mënyrë që të mos përballen me masa ndëshkuese për shkak të veprimeve të tyre të njëanshme apo të paautorizuara”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, theksohet se Parku Kombëtar “Sharri” mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të kësaj zone të rëndësishme natyrore dhe turistike.

/Motilokal.com