Gjermania synon të bëhet superfuqi e gjysmëpërçuesve në Evropë – Qeveria planifikon fabrika të reja

Gjermania synon të bëhet superfuqi e gjysmëpërçuesve në Evropë – Qeveria planifikon fabrika të reja

Qeveria gjermane dëshiron ta bëjë Gjermaninë qendrën kryesore të prodhimit të gjysmëpërçuesve në Evropë. Qëllimi është të promovojë teknologjitë e së ardhmes, siç është inteligjenca artificiale.

Qeveria federale dëshiron të konsolidojë Gjermaninë si lidere evropiane në prodhimin e gjysmëpërçuesve. “Ne do të krijojmë stimuj për të rritur prodhimin e gjysmëpërçuesve, pajisjeve dhe produkteve paraprake në Gjermani me të paktën tre fabrika të reja”, thuhet në agjendën e re të teknologjisë së lartë, të cilën e ka parë agjencia e lajmeve Reuters.

“Ne po sjellim fabrika të reja gjysmëpërçuesish në Gjermani dhe po konsolidojmë Gjermaninë si qendrën kryesore të prodhimit të gjysëmpërçuesve në Evropë”, shton Ministria Federale e Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Hapësirës në dokument. Nuk jepen hollësi të tjera. Agjenda do të miratohet nga qeveria në korrik.

Ndërkohë, ministrja Bär nuk dëshiron të përqendrohet vetëm në zhvillim, por edhe në zbatimin ekonomik të rezultateve të kërkimit. “Studimet vlerësojnë një potencial për krijimin e vlerës së shtuar përmes IA-së midis 300 dhe 400 miliardë euro në vit në Gjermani dhe dhjetë herë më shumë se kjo shumë në të gjithë botën”, thuhet në dokument përsa u përket viteve të ardhshme. Edhe pse Gjermania po përjeton suksese në fazën fillestare të inovacionit, ajo qartësisht po mbetet prapa në komercializim.

Plan veprimi për një termocentral me fuzion

Agjenda e teknologjisë së lartë njofton gjithashtu se, deri në fund të vitit 2025, do të paraqitet një plan veprimi strategjik afatgjatë për ndërtimin e një termocentrali me fuzion në Gjermani. Për më tepër, kërkimet në teknologjitë e erës dhe diellit do të nxiten më tej, dhe Gjermania do të bëhet një “vend kryesor për inovacionin, prodhimin dhe zbatimin e akumulatorëve stacionarë të baterive”.

Prej vitit 2026, do të krijohen të ashtuquajturat “grupime kompetencash” për materialet e baterive, prodhimin e baterive dhe bateritë e këtij lloji.

Në fushën e gjeotermisë, Gjermania do të bëhet pioniere globale. Dokumenti 35-faqësh thekson se, sipas ekspertëve, tregu global për teknologjitë e energjisë së gjelbër do të rritet nga 700 miliardë dollarë në vitin 2023 në më shumë se 2 bilion dollarë në vitin 2035.

Kërkime civile dhe ushtarake

Megjithatë, agjenda e teknologjisë së lartë përfshin gjithashtu kërkime shëndetësore, navigim hapësinor dhe integrimin e ardhshëm të kërkimeve civile dhe ushtarake.

Për më tepër, njoftohet rinovimi i flotës kërkimore gjermane, duke përfshirë kërkimet mbi klimën dhe biodiversitetin në dete. Përveç mbështetjes, financimi do të vijë nga më shumë kapital sipërmarrës dhe një fond gjerman ku bashkohen fondet publike dhe private. Shteti përmendet shprehimisht si një “klient bazë”, i cili duhet të blejë produkte të reja për t’i bërë ato të tregtueshme.

/DW/Motilokal.com