Motilokal paralajmëron: Një tjetër valë përvëluese po troket me temperatura ekstreme

Motilokal paralajmëron: Një tjetër valë përvëluese po troket me temperatura ekstreme

Motilokal paralajmëron se një valë e re e të nxehtit afrikan pritet të përfshijë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në ditët në vijim, duke shënuar kështu valën e katërt të të nxehtit për këtë sezon veror.

Sipas parashikimeve, temperaturat ekstreme do të kapin vlerat prej 38°C deri në 40°C, ndërsa në disa zona të izoluara pritet që termometri të ngjitet edhe mbi 40°C, një rritje kjo që mund të çojë në rekorde të reja për rajonin.

Motilokal njofton se vala pritet të zgjasë për disa ditë, me net të ngrohta dhe lagështi të lartë, duke krijuar kushte të vështira, sidomos për grupet më të ndjeshme të popullsisë.

Gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta qytetarët këshillohen që të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të mesditës, të qëndrojnë të hidratuar dhe të ndjekin udhëzimet për mbrojtjen nga vala e të nxehtit.

Kujdes i veçantë duhet të tregtohet edhe për rrezikun e shtuar nga zjarret në terrenet pyjore dhe ato bujqësore, për shkak të thatësisë dhe temperaturave ekstreme.

Motilokal do ju mbajë të informuar me parashikimin e motit për ditët në vijim.

/Motilokal.com