Më 20 korrik 2025, një ngjarje me rrezik për jetën u shënua në Kanionin e Mirushës, një ndër destinacionet më të njohura për aktivitete sportive dhe eksploruese në natyrë. Një qytetare e Republikës së Kosovës, e angazhuar në një aktivitet sportiv në këtë zonë, pësoi një lëndimi në këmbë, që e pamundësoi të vazhdonte ecjen për t’u kthyer në pikënisjen e shtegut.
Thirrja urgjente për ndihmë u pranua në numrin kujdestar të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK), i cili menjëherë mobilizoi ekipet nga disa prej stacioneve kryesore të vendit, përfshirë ato të Pejës, Deçanit, Mitrovicës dhe Prishtinës.
Pa humbur kohë, ekipet e shpëtimit u nisën drejt vendngjarjes, duke marrë me vete pajisjet e nevojshme për ndërhyrje në terren të vështirë. Pasi arritën tek e lënduara, ata ofruan ndihmën e parë mjekësore dhe, pas imobilizimit të gjymtyrës së dëmtuar, realizuan me sukses evakuimin teknik deri në pikën ku ishte e mundur transporti me autoambulancë.
Falë profesionalizmit dhe reagimit të shpejtë të shpëtuesve malorë, operacioni u përmbyll me sukses dhe pa komplikime shtesë për të lënduarën, së cilës i është uruar shërim i shpejtë nga stafi i ShKShMK-së.
Ky rast njëherësh nënvizon edhe një herë rëndësinë jetike të funksionimit të ekipeve të kërkim-shpëtimit malor dhe bashkëpunimit ndërmjet stacioneve të ndryshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve në zonat e vështira dhe të largëta.
/Motilokal.com
