Pas të nxehtit përvëlues, priten stuhi – ja kur

Pas të nxehtit përvëlues, priten stuhi – ja kur

Masa ajrore shumë të nxehta nga Afrika Veriore kanë pushtuar rajonin tonë gjatë ditëve të fundit, duke krijuar kushte ekstreme të motit. Nën ndikimin e këtyre masave, temperaturat kanë shënuar vlera jashtëzakonisht të larta, të shoqëruara me lagështi të ulët, çka ka shtuar ndjeshëm ndjesinë e nxehtësisë dhe ka rritur rrezikun nga zjarret në shumë zona.

Qarkullimet atmosferike po formojnë një korridor të nxehtësisë tropikale që pritet të qëndrojë deri në fundjavë. Kjo situatë do të vazhdojë të favorizojë kushte të motit të thatë dhe me temperatura të larta gjatë ditës, duke prekur veçanërisht zonat e ulëta dhe ato urbane.

Megjithatë, duke filluar nga pasditja e së premtes dhe gjatë ditës së shtunë, pritet një ndryshim gradual i kushteve atmosferike. Destabilizimi i ajrit pritet të sjellë zhvillim të vranësirave konvektive, duke u shoqëruar me stuhi lokale shiu, breshër, bubullima dhe shkarkime rrufesh në disa rajone.

Ndërkohë, fillimi i javës që vjen do të karakterizohet nga një përmbysje më e theksuar e motit. Një front i ftohtë ajror do të depërtojë mbi Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë rajonin të martën dhe të mërkurën. Ky front do të sjellë rënie të ndjeshme temperaturash, shtim të vranësirave dhe reshje shiu në intervale të ndryshme kohore.

Motilokal.com këshillon qytetarët të tregojnë kujdes për shkak të rrezikut të lartë nga temperaturat ekstreme gjatë ditëve në vijim, si dhe të jenë të përgatitur për ndryshimet e shpejta të motit që do të pasojnë me fillimin e javës tjetër.

/Motilokal.com