Me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave ekstreme, rritet edhe rreziku i aksidenteve rrugore. Lodhja, udhëtimet e gjata, shpejtësia e papërshtatshme dhe nxehtësia janë disa nga faktorët që ndikojnë ndjeshëm në sigurinë rrugore gjatë kësaj stine.
Për të shmangur tragjeditë që mund të parandalohen, shoferët duhet të jenë të përqendruar, të kujdesshëm dhe të ndjekin disa rekomandime jetike për veten, pasagjerët dhe të gjithë përdoruesit e rrugës.
Këshilla të vlefshme për vozitje të sigurt në verë:
Pushoni para nisjes – Lodhja është një nga shkaqet më të zakonshme të aksidenteve. Temperaturat e larta e bëjnë edhe më të vështirë përqendrimin, sidomos në udhëtime të gjata apo gjatë natës.
Mos u nisni menjëherë me makinën e nxehtë – Hapni dyert dhe dritaret, përfshirë bagazhin, për të ajrosur automjetin para se të nisesh.
Përdorni ajrin e kondicionuar me kujdes – Temperatura në makinë duhet të jetë 5-7°C më e ulët se ajo jashtë. Ndryshimet e mëdha termike mund të shkaktojnë probleme shëndetësore.
Rripat e sigurimit shpëtojnë jetë – Përdorimi i tyre është i domosdoshëm për të gjithë, pavarësisht vendit ku janë ulur në makinë. Rreziku i vdekjes ulet ndjeshëm, sidomos për pasagjerët në pjesën e pasme.
Ndalo çdo dy orë – Bëj një shëtitje të shkurtër, pi ujë dhe shtriq trupin. Do të ndihmojë në përqendrim dhe shmangie të lodhjes.
Alkooli dhe substancat psikoaktive nuk kanë vend pas timonit – Përfshi edhe medikamentet që ndikojnë në aftësitë për të drejtuar automjetin.
Udhëtimi në verë kërkon kujdes të veçantë për disa grupe:
Gratë shtatzëna
Planifikimi dhe kujdesi janë thelbësorë. Rekomandohet:
- Konsultim me mjekun para nisjes.
- Marrje e mjaftueshme e lëngjeve.
- Lëvizje çdo dy orë për të parandaluar mpiksjet.
- Përdorimi i rripit të sigurimit.
- Udhëtimi është më i përshtatshëm gjatë mesit të shtatzënisë.
Të moshuarit (mbi 70 vjeç)
- Bëni një kontroll mjekësor para udhëtimit.
- Pini shumë ujë dhe pushoni rregullisht.
- Mos harroni rripin e sigurimit dhe freskimin në makinë.
Siguria e fëmijëve është një përparësi
Mospërdorimi i ulëseve të posaçme është një ndër shkaqet kryesore të lëndimeve te fëmijët. Sipas OBSH-së:
- Ulëset për foshnje ulin rrezikun e lëndimeve me 70%.
- Për fëmijët 1-4 vjeç, rreziku ulet me 54%.
- Ulëset përforcuese për moshat 4-7 vjeç, ulin rrezikun e lëndimeve serioze me 59%.
Mos i lini fëmijët vetëm në makinë! Edhe me dritaret hapur, temperatura në makinë mund të arrijë 50°C për vetëm pak minuta. Trupi i një fëmije mbinxeh shumë më shpejt se ai i një të rrituri – kjo mund të sjellë pasoja fatale.
Edhe kafshët shtëpiake kanë nevojë për mbrojtje
Qentë duhet të udhëtojnë të lidhur me parzmore speciale. Kafshët e vogla të transportohen në kuti të përshtatshme. Kurrë mos i lini vetëm në makinë, as për "vetëm pak minuta".
Kujdesi shpëton jetë
Temperaturat e larta nuk janë arsye për pakujdesi, por një sinjal për vigjilencë të shtuar. Ji shofer i përgjegjshëm. Ruaje jetën tënde, të familjes dhe të gjithë atyre që ndajnë rrugën me ty.
/Motilokal.com
