Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 ton në autostrada, rrugë nacionale dhe rajonale.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ky vendim është marrë për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë ditëve të fundit.
“Të dashur qytetarë, për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë, kemi marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 ton në autostrada, rrugë nacionale dhe rajonale. Ndalesa do të vlejë nga ora 11:00 deri në 17:00, duke filluar nga nesër, më 23 korrik, deri më 28 korrik”, ka deklaruar Durmishi.
Ai shtoi se vendimi mund të ndryshojë në varësi të kushteve klimatike gjatë ditëve në vijim.
Ndërkohë, edhe Ministria e Shëndetësisë, bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për punëtorët ndaj temperaturave të larta, për periudhën 22–25 korrik 2025.
Në njoftimin e MSH-së theksohet se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte me temperatura të larta.
“Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftim.
/Motilokal.com
