Në një deklaratë për media, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, u shpreh se vendi po përballet me një situatë të rënduar për shkak të zjarreve që kanë përfshirë shumë zona të Kosovës.
“Sot jemi këtu së bashku me Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, për t’ju njoftuar për situatën aktuale me zjarret që kanë shpërthyer në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Metaj.
Ai theksoi se paralajmërimet nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe temperaturat përvëluese kanë ndikuar në përhapjen e shumë zjarreve në zona të ndryshme.
“Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste të zjarreve, përfshirë zjarre malore, fushore dhe në objekte”, deklaroi Metaj, duke shtuar se AME, në bashkëpunim me zjarrfikësit, Qendrën Operative Emergjente 112, Policinë e Kosovës dhe autoritetet lokale, është angazhuar maksimalisht në menaxhimin e situatës.
Ai bëri të ditur se aktualisht janë 7 vatra zjarri aktive, por gjendja është e qëndrueshme falë ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit efikas.
“Ky numër i madh i zjarreve dhe rreziqet që sjellin janë alarmante”, u shpreh Metaj, duke shtuar me keqardhje se “fatkeqësisht kemi humbur një zjarrfikës nga Njësia e Gjakovës dhe një qytetar nga komuna e Klinës”.
Po ashtu, ai informoi se dy zjarrfikës të tjerë janë lënduar gjatë ndërhyrjeve në Lipjan dhe Viti.
Metaj ritheksoi rëndësinë e vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për ndalimin e të gjitha formave të ndezjes së zjarreve në territorin e vendit, duke përfshirë edhe aktivitetet rekreative si piknikët dhe fishekzjarrët.
“Çdo veprim i qëllimshëm apo pakujdesi që sjell ndezjen e zjarreve do të trajtohet me seriozitet dhe do të ndiqet sipas ligjit,” paralajmëroi ai.
Ai shtoi se kushtet në terren mbeten sfiduese dhe mund të ndikojnë në përhapje të mëtejshme të zjarreve, por strukturat janë të gatshme për të përballuar çdo situatë të re. Megjithatë, rritja e madhe e rasteve mund të vështirësojë reagimin në kohë të Njësive të Zjarrfikjes.
Në përmbyllje, Metaj shprehu mirënjohje për angazhimin e zjarrfikësve, stafit të AME-së, QOE112, Policisë së Kosovës, autoriteteve lokale dhe qytetarëve që kanë bashkëpunuar në menaxhimin e situatës.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional është në nivel të kënaqshëm, por sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetarëve”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk do të lejohet që kjo çështje të mbetet nën mëshirën e fatit.
Për angazhimin e Policisë së Kosovës në parandalimin e zjarrvënieve foli drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, i cili theksoi se janë ndërmarrë një varg aktivitetesh për ta menaxhuar situatën dhe për t’i ndjekur penalisht zjarrvënësit.
“Edhe Policia është duke punuar që sadopak të ndikojë në uljen e zjarreve dhe rreziqeve. Policia ka marrë një varg aktivitetesh për parandalimin dhe përhapjen e zjarreve. Ne përmes ndihmës fizike jemi duke u marrë edhe me hetime dhe ndjekje të veprave penale. Numri i përgjithshëm i zjarreve të raportuara nga fillimi deri tash është 183, numri i zjarrvënieve është 54, numri i personave të arrestuar është 9, numri i rasteve të iniciuara në polici është 65”, tha Hoxha.
/Motilokal.com
