Fshati piktoresk i Radavcit, në Komunën e Pejës, u mbush me ngjyra, aromë dhe energji pozitive, teksa u mbajt me sukses aktiviteti “Dita e Mjedrës 2025”, pjesë e Javës së Mjedrës, një festë që bashkon traditën, inovacionin dhe bashkëpunimin për të ardhmen e bujqësisë.
Ngjarja u organizua nga Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, në bashkëpunim me Shoqatën “Mjedra e Kosovës”, EREA-n (Fuqizimi i Ekonomive Rurale në Bujqësi) dhe me mbështetjen e çmuar të Caritas-it Zviceran dhe ADC-së (Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim).
Me një fokus të qartë drejt kultivimit të qëndrueshëm, forcimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe shkëmbimit të përvojave mes fermerëve, kjo ditë u shndërrua në një platformë të rëndësishme për bashkëpunim dhe inovacion në sektorin e mjedrës.
Fjalime përshëndetëse mbajtën Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Zëvendësministri në Detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, Drejtoresha e Zyrës për Bashkëpunim Teknik-Bashkëpunimi Austriak për Zhvilli ADC, Rita Glavitza, Drejtoresha e Caritas-it Zviceran në Kosovë, Astrid Wein dhe Fermeri lider i mjedrës, Nehat Bajraktari.
Kujtim Lepaja nga Shoqata “Mjedra e Kosovës” demonstroi nga afër sistemin inteligjent të ujitjes dhe teknikat moderne të ujitjes me shi, duke tërhequr interesimin e pjesëmarrësve për teknologjinë e re në bujqësi.
Aktiviteti kulmoi me një vjelje simbolike të mjedrës dhe një koktej festiv me produkte vendore të përgatitura me mjedra, duke i dhënë kësaj dite një shije të veçantë bashkëpunimi dhe suksesi lokal.
Komuna e Pejës shpreh mirënjohje për të gjithë partnerët që po kontribuojnë konkretisht në zhvillimin rural dhe fuqizimin e bujqësisë, një sektor që në Radavc sot tregoi potencialin e tij të jashtëzakonshëm.
/Motilokal.com
