IKSHPK: Uji i pishinës së Gërmisë jashtë standardeve të lejuara

IKSHPK: Uji i pishinës së Gërmisë jashtë standardeve të lejuara

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë monitorimit të rregullt të cilësisë së ujit në pishinën publike të Gërmisë në Prishtinë, janë konstatuar devijime nga standardet mikrobiologjike të lejuara për ujin e pishinave.

Sipas njoftimit zyrtar të institutit, mostrat e para të ujit janë marrë më 19 korrik 2025 nga ekspertët e Ekologjisë Humane të IKSHPK-së, në kuadër të kontratës së bashkëpunimit me ndërmarrjen publike “Sport Marketing” SH.A, që menaxhon këtë pishinë. Rezultatet laboratorike, të lëshuara më 22 korrik, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk përmbushin standardet e nevojshme për sigurinë e ujit në pishinë.

Menjëherë pas konstatimeve të para, më 22 korrik është realizuar një vizitë inspektuese nga Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, më 23 korrik janë marrë mostra të reja për analizë të përsëritur, rezultatet e të cilave pritet të publikohen të premten, më 25 korrik 2025.

IKSHPK bën të ditur se sapo të jenë në dispozicion rezultatet përfundimtare, publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të institutit.

/Motilokal.com