Kryeqyteti njofton opinionin publik se Ndërmarrja Publike Lokale “Sportmarketing”, me vetiniciativë, ka inicuar nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK). Marrëveshja ka për qëllim marrjen dhe analizimin e mostrave të ujit, si dhe monitorimin javor të cilësisë së tij në Pishinën e Gërmisë.
Duke vepruar në cilësinë e një ndërmarrjeje publike, “Sportmarketing” shpreh përkushtimin e saj të plotë për respektimin dhe zbatimin e të gjitha udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK-së dhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Shëndeti publik mbetet prioritet i padiskutueshëm.
Megjithatë, Kryeqyteti shpreh shqetësimin e tij lidhur me krijimin e një alarmi të panevojshëm në opinionin publik, si pasojë e deklaratave të parakohshme e të pambështetura në rezultate përfundimtare. Sipas njoftimit të vetë IKSHPK-së, mostrat e dyta të ujit janë ende në proces të analizës laboratorike dhe rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nesër. Çdo komunikim publik para përfundimit të analizave rrezikon të çojë në dezinformim dhe krijimin e panikut tek qytetarët.
Kryeqyteti apelon për maturi dhe përgjegjësi në adresimin publik të çështjeve të ndjeshme, duke theksuar angazhimin e tij për transparencë të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet përkatëse. Qytetarët do të informohen pa vonesë sapo të bëhen publike rezultatet zyrtare nga analizat laboratorike.
/Motilokal.com
