Pishina e Gërmisë është rihapur sot, më 25 korrik 2025, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar se cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për përdorim publik.
Vendimi vjen pas analizave përfundimtare laboratorike të mostrave të ujit të marra më 23 korrik, të cilat dëshmojnë se uji i pishinës i përmbush të gjitha kriteret e përcaktuara në rregulloren për cilësinë e ujit në pishina.
Një ditë më parë, më 24 korrik, bazuar në rezultate preliminare dhe para përfundimit të analizave të plota, IKSHPK kishte rekomanduar mbylljen e përkohshme të pishinës, si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik.
Kryeqyteti, përmes një njoftimi zyrtar, ka shprehur shqetësimin për komunikimet publike të parakohshme, të cilat sipas tyre kanë krijuar paqartësi dhe alarm të panevojshëm në opinion.
“Apelojmë që në të ardhmen çdo komunikim që prek drejtpërdrejt qytetarët të bazohet vetëm në rezultate zyrtare dhe përfundimtare nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në reagimin e Kryeqytetit.
Qytetarët ftohen të shfrytëzojnë hapësirat rekreative të Gërmisë, me garancinë se Kryeqyteti dhe Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing” SH.A. mbeten të përkushtuara ndaj transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
/Motilokal.com
