Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se trajtimi i ujit në impiantet e Batllavës, Badovcit dhe Shkabajt po bëhet me kapacitetet maksimale të mundshme. Megjithatë, konsumi i lartë, përfshirë keqpërdorimet e shumta, e ka çuar situatën në një pikë kritike.
“Konsumi i ujit, përfshirë keqpërdorimet alarmante, është në nivelin më të lartë. Uji nuk po arrin në zonat e larta për shkak të shpenzimeve të tepruara në pikat e ulëta”, thuhet në njoftimin zyrtar të KRU “Prishtina”.
Kompania u bën thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos atyre që jetojnë në zonat më të ulëta, që të tregojnë kujdes dhe ta përdorin ujin në mënyrë sa më racionale.
Ndërkohë, KRU “Prishtina” ka intensifikuar edhe veprimet kundër keqpërdoruesve të ujit. “Përndjekja ndaj rasteve të keqpërdorimit është në intensitetin më të lartë ndonjëherë”, thuhet më tej në njoftim.
Kompania rikujton se uji është një burim jetik dhe i kufizuar, dhe kërkon bashkëpunim nga të gjithë qytetarët për të përballuar këtë situatë të vështirë.
/Motilokal.com
