Rekord historik i të nxehtit në Kosovë

Rekord historik i të nxehtit në Kosovë

Kosova ka shënuar një rekord historik të temperaturave më të larta të regjistruara ndonjëherë.

Të premten, më 25 korrik, në qytetin e Klinës u regjistruan 42.5°C, duke shënuar temperaturën më të lartë në historinë e matjeve meteorologjike në vend.

Vala ekstreme e të nxehtit vazhdoi edhe gjatë mëngjesit të së shtunës, ndërsa në mesditë, pjesa më e madhe e territorit u mbulua pjesërisht nga vranësira. Në disa zona, veçanërisht në jug të vendit, janë prezente erëra të fuqishme, të cilat mund të sjellin rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.

Nën ndikimin e pluhurit saharian, reshjet e mundshme mund të marrin formën e shiut me baltë – një fenomen që ndodh kur pikat e shiut kalojnë nëpër shtresa ajri të ngarkuara me pluhur.

Era pritet të fryjë me intensitet të ndryshueshëm dhe herë pas here do të jetë mjaft e fortë, sidomos në zonat me zhvillime atmosferike më të theksuara, me shpejtësi që mund të arrijë deri në 60 km/h.

Temperaturat do të mbeten jashtëzakonisht të larta, me minimale nga 19 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale do të lëvizin ndërmjet 39 dhe 43, madje në disa zona edhe deri në 44°C. Sipas parashikimeve, nuk përjashtohet mundësia që rekordi i të nxehtit të thyhet sërish në ditët në vijim.

/Motilokal.com