Përhapja e zjarreve në disa rajone të Kosovës po përshkallëzon situatën në terren. Për të parandaluar rrezikun nga përkeqësimi i gjendjes, KOSTT ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në nënstacionet “Prizreni 1” dhe “Prizreni 3”, me urdhër të Policisë së Kosovës.
Zjarret kanë prekur veçanërisht zonat e Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjakovës, ku janë dëmtuar asete të shumta elektroenergjetike të KEDS-it, duke lënë pa energji një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve.
Situata po bëhet gjithnjë e më alarmante, sidomos për shkak të erërave të fuqishme që po përhapin flakët me shpejtësi edhe në rajone të tjera.
Ekipet e KEDS-it ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me energji elektrike dhe për të shmangur dëme të mëtejshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse përballë kësaj situate të rënduar.
/Motilokal.com
