Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me situatën alarmante që ka përfshirë shumë komuna të vendit si pasojë e vatrave të shumta të zjarrit, të cilat po shkaktojnë dëme serioze materiale dhe mjedisore.
Në një deklaratë publike, Presidentja Osmani ka shprehur solidaritetin e saj të plotë me qytetarët e prekur, në veçanti me fermerët që po humbin frytet e punës së tyre, si dhe me ekipet emergjente që janë angazhuar në terren për të vënë nën kontroll flakët.
“Situata është sfiduese dhe kërkon reagim të koordinuar dhe të menjëhershëm nga të gjitha nivelet. Mirënjohje të thellë për zjarrfikësit tanë, për punonjësit e emergjencës dhe për të gjithë vullnetarët që me guxim dhe përkushtim janë në vijën e parë të përballjes me flakët”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme, ndërsa ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është në gjendje të plotë gatishmërie dhe e gatshme të intervenojë nëse kërkohet nga autoritetet përkatëse.
Presidentja u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke theksuar rëndësinë e raportimit të menjëhershëm të çdo vatre të dyshimtë te autoritetet kompetente.
“Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve. Mbështetja dhe bashkëpunimi i secilit prej nesh është thelbësor për ta përballuar këtë situatë”, përfundoi Presidentja Osmani.
/Motilokal.com
