Sekreti i shijes së vjetër: Si përgatitet boza

Sekreti i shijes së vjetër: Si përgatitet boza

Boza është një pije tradicionale e ëmbël, e përgatitur nga mielli i misrit, me origjinë të lashtë në kuzhinat e Ballkanit. E njohur për vlerat e saj ushqyese dhe shijen e veçantë, boza shqiptare dallohet për ngjyrën më të verdhë dhe ëmbëlsinë më të theksuar krahasuar me variantet e tjera në rajon.

Çfarë ju nevojitet:

500 g miell misri

5 litra ujë të vakët

20 g tharmë buke

500 g sheqer (ose mjaltë, sipas dëshirës)

Si përgatitet:

Përgatitja fillestare

Në një tenxhere të madhe, përzihen mielli dhe uji i vakët. Lihen të pushojnë për disa orë – më së miri gjatë natës, që shijet të zhvillohen më mirë.

Zierja

Të nesërmen, përbërja vihet në zjarr të mesëm dhe zihet për afërsisht dy orë, duke e përzier herë pas here me një lugë druri.

Ftohja dhe fermentimi

Pasi përbërja të jetë zier, hiqet nga zjarri dhe lihet të ftohet. Ndërkohë, përgatitet tharmi duke e tretur në pak ujë të vakët, pastaj shtohet te masa e ftohur. Përzihet mirë dhe lihet të qëndrojë gjatë natës për fermentim.

Kulloj dhe ëmbëlso

Në mëngjes, masa kullohet me kujdes përmes një pëlhure të bardhë dhe të pastër. Shtohet sheqeri sipas dëshirës dhe boza ftohet mirë në frigorifer. Shërbehet e ftohtë me disa kube akulli.

Kujdes: Boza është më e shijshme në dy-tri ditët e para. Pas kësaj, fillon të bëhet më e thartë dhe e fortë për shijen.

/Motilokal.com