Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), përmes trupave të aviacionit amerikan në Komandën Rajonale-Lindje, po vazhdon të ndihmojë Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) në përballjen me zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit.
Sipas njoftimit të KFOR-it, dy helikopterë UH-60 Black Hawk kanë realizuar hedhje të shumta uji nga ajri mbi zonat e prekura, me qëllim të kontrollimit të flakëve që paraqesin rrezik për popullsinë dhe infrastrukturën lokale.
“Gjatë një periudhe dyorëshe, ekipet përfunduan 18 hedhje uji, duke shpërndarë mbi 43.500 litra ujë në rajonet e përfshira nga zjarri. Këto përpjekje tregojnë aftësinë e reagimit të shpejtë të KFOR-it dhe përkushtimin e tij për të mbështetur popullsinë lokale dhe autoritetet civile në kohë krize”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.
Ndërkohë, Agjencia për Menaxhimin Emergjent bëri të ditur të dielën se, brenda gjashtë orëve të fundit, janë raportuar gjithsej 80 vatra zjarri në Kosovë. Prej tyre, 35 janë ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar.
Situata më e rënduar paraqitet në Komunën e Klinës, veçanërisht në fshatrat Siqevë dhe Resnikë.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë në numrat emergjentë 112, 193 ose 192”, thuhet në njoftimin e AME-së.
Zjarre të përmasave të mëdha janë regjistruar edhe në rajon, përfshirë Shqipërinë dhe Greqinë.
/Motilokal.com
