Rumania po përballet me përmbytje të fuqishme dhe vdekjeprurëse në lindje të vendit, ku tre persona të moshuar kanë humbur jetën dhe qindra banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në të paktën 25 fshatra, në nëntë rajone të ndryshme.
Sipas autoriteteve rumune, përmbytjet kanë shkatërruar çatitë e shtëpive, kanë rrëzuar pemë dhe kanë bllokuar rrugë kombëtare. Në disa zona, helikopterët janë aktivizuar për kërkime dhe shpëtim, ndërsa shërbimet e emergjencës po kontrollojnë automjetet e mbuluara nga uji për viktima të mundshme.
Më e goditura është zona e qarkut Neamț dhe Suceava, ku dy lumenj kanë dalë nga shtrati. Në Broșteni, të gjitha rrugët që të çonin drejt fshatit janë bllokuar. Një burrë 66-vjeçar humbi jetën në këtë zonë, ndërsa më vonë u konfirmua se edhe dy gra të moshuara, 83 dhe 85 vjeçe, kanë ndërruar jetë si pasojë e përmbytjeve.
Një nga trupat u nxor nga shtrati i lumit përmes përdorimit të një ekskavatori nga zjarrfikësit. Ndërkohë, Ministria e Mjedisit njoftoi se disa lumenj kanë arritur nivele rekord uji, dhe aktualisht po punohet për riparimin e urave të shembura.
/Motilokal.com
