Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, ka autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) që të vendosë ekipe të Kërkim-Shpëtimit (SAR) në zonën e liqenit të Ujmanit në Zubin Potok.
Ky autorizim, i bërë publik përmes një postimi në faqen zyrtare të KFOR-it në Facebook, është dhënë për arsye humanitare.
Në postim thuhet se ky vendim është marrë në përputhje të plotë me mandatin dhe kompetencat e Komandantit të KFOR-it, me qëllim që të forcohen përpjekjet për lokalizimin dhe rikuperimin e trupit të një 33-vjeçari që dyshohet se është mbytur në liqen disa ditë më parë.
“Ky autorizim është i kushtëzuar me kërkesa dhe paralajmërime specifike të vendosura nga KFOR-i, të cilat do të garantojnë sigurinë gjatë gjithë operacionit. Aktiviteti i ekipeve të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së është në përputhje me mandatin e saj bazë, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale në rast të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i vazhdon të punojë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), brenda roleve të tyre përkatëse si pjesë e reagimit të përbashkët për çështje të sigurisë.
/Motilokal.com
