Miliona banorë në Shtetet e Bashkuara janë vënë në alarm pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 8.8 që goditi brigjet lindore të Rusisë, pranë gadishullit Kamçatka.
Sirenat e alarmit po bien në Hawaii, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të evakuohen nga zonat bregdetare. I gjithë zinxhiri i ishujve po përgatitet për ndikimin e mundshëm të cunamit.
Ndërkohë, edhe kufiri ndërmjet Kalifornisë dhe Oregonit është përfshirë tashmë në paralajmërimin për cunami. Njoftime dhe këshilla janë dhënë për të gjithë Bregun Perëndimor të SHBA-së, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Valët pritet të godasin brigjet e Kalifornisë rreth orës 3 të mëngjesit me orën lokale.
Përmes platformës Truth Social, ish-presidenti Donald Trump u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të “QËNDROJNË TË FORTË DHE TË SIGURTË”.
Në Hawaii, pamjet treguan qytetarë që vraponin drejt supermarketeve për t’u furnizuar me ujë dhe produkte të domosdoshme, ndërsa Guvernatori i shtetit, Josh Green, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Fotot e publikuara në rrjetet sociale treguan gjithashtu trafik të rënduar në një nga autostradat kryesore të Honolulu, teksa banorët përpiqeshin të arratiseshin drejt zonave më të larta.
Garda Kombëtare është vendosur në gatishmëri për të ndihmuar në operacionet e mundshme të shpëtimit dhe helikopterë Black Hawk janë vënë në dispozicion. Megjithatë, guvernatori Green paralajmëroi: “Nëse përfshiheni nga valët, është e pamundur t’ju shpëtojmë.”
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), tërmeti goditi rreth 84 milje në lindje-juglindje të gadishullit Kamçatka, rreth orës 19:24 EST. Me një magnitudë prej 8.8 ballësh, ky është një nga tërmetet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë, i gjashti më i fortë në histori.
Ky tërmet besohet gjithashtu të jetë më i fuqishmi që ka goditur globin në 14 vitet e fundit, që nga tërmeti katastrofik me magnitudë 9.1 që goditi Japoninë verilindore më 2011, duke shkaktuar mbi 19,000 viktima të vdekur ose të zhdukur.
/Motilokal.com
