Tërmeti i djeshëm në rajonin e Kamçatkës në Rusi ishte një kujtesë e fuqishme e forcave të natyrës, duke shkaktuar evakuime të shumta dhe paralajmërime për cunami në Japoni dhe Hawaii.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti kishte një magnitudë prej 8.8 ballë, duke u renditur ndër gjashtë tërmetet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë. Po kjo magnitudë është shënuar edhe në tërmetin shkatërrues të Kilit më 2010 dhe në rajonin Ekuador-Kolumbi më 1906. Edhe pse zona e goditur Lindja e Largët Ruse është pak e populluar, janë raportuar dëme materiale dhe disa të lënduar, fatmirësisht pa humbje jete.
Pesë tërmetet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë:
1. Kili, 1960 – 9.5 Rihter
Tërmeti më i fuqishëm në histori goditi rajonin Biobio të Kilit. Shkaktoi shkatërrime masive dhe një cunami që përfshiu zona nga Hawaii në Japoni, duke marrë jetën e rreth 5,700 personave.
2. Alaska, 1964 – 9.2 Rihter
I njohur si “Tërmeti i Madh i Alaskës”, ai u përqendrua në Prince William Sound, duke shkaktuar përmbytje, shembje të mëdha dhe 139 viktima. Është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në SHBA.
3. Sumatra, Indonezi, 2004 – 9.1 Rihter
Ky tërmet shkaktoi cunamin më vdekjeprurës të epokës moderne, me mbi 230,000 të vdekur dhe të zhdukur në 14 vende. Valët arritën deri në 30 metra lartësi, me dëme ekonomike që tejkaluan 10 miliardë dollarë.
4. Tohoku, Japoni, 2011 – 9.1 Rihter
Tërmeti në verilindje të Japonisë shkaktoi një cunami shkatërrues dhe çoi në katastrofën bërthamore në Fukushimë. Mbi 18,000 njerëz humbën jetën dhe dhjetëra mijëra u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.
5. Kamçatka, Rusi, 1952 – 9.0 Rihter
Rajoni u godit nga një tjetër tërmet i fuqishëm në vitin 1952. Cunami që pasoi arriti deri në 7 metra lartësi, duke shkaktuar dëme në zonat bregdetare dhe në ishujt e largët, përfshirë edhe Hawaii.
Fakte interesante për tërmetet:
Miliona tërmete çdo vit
Sipas USGS, çdo vit regjistrohen rreth 17 tërmete të fuqishme mbi 7 ballë dhe të paktën një me magnitudë mbi 8 ballë. Në total ndodhin miliona tërmete në botë çdo vit, shumica prej të cilëve kalojnë pa u ndjerë.
Tërmetet ndikojnë në gjatësinë e ditës
Tërmeti i Japonisë më 2011 shkaktoi një zhvendosje të masës së Tokës, duke përshpejtuar rrotullimin e saj dhe duke shkurtuar ditën me rreth 1.8 mikrosekonda.
San Francisko po i afrohet Los Anxhelosit
Për shkak të lëvizjeve të pllakës tektonike të San Andreas, San Francisko po i afrohet Los Anxhelosit me rreth 5 cm në vit. Pas miliona vjetësh, dy qytetet mund të bashkohen.
Uji merr erë të çuditshme para një tërmeti
Sipërfaqet ujore, si liqenet apo pishinat, mund të lëshojnë erë të fortë ose të ngrohen pak për shkak të gazrave që çlirohen nga nëntoka. Ky fenomen mund të shpjegojë edhe sjelljen e pazakontë të kafshëve para tërmeteve.
Seiche – lëkundje e ujit në pishina
Pas tërmeteve ndodh fenomeni “seiche”, ku uji në liqene ose pishina fillon të valëzojë për orë të tëra. Universiteti i Arizonës, për shembull, humbi ujë nga një pishinë pas një tërmeti në Meksikë, ndonëse ndodheshin 2,000 km larg.
Inkasit dhe ndërtimet rezistente ndaj tërmeteve
Qytetërimi inka përdorte teknika ndërtimi për t’i rezistuar tërmeteve. Edhe pagodat tradicionale japoneze janë dizajnuar për të shpërndarë energjinë e tërmetit në mënyrë efikase.
90% e tërmeteve ndodhin në “Unazën e Zjarrit”
Zona përreth Oqeanit Paqësor, e njohur si “Unaza e Zjarrit”, është vatra kryesore e tërmeteve në planet.
Qyteti Concepción në Kili u zhvendos me 10 metra
Pas tërmetit të vitit 2010 me magnitudë 8.8, qyteti u zhvendos rreth 10 metra në perëndim.
Everesti humbi lartësi
Tërmeti i Nepalit në vitin 2015 uli lartësinë e disa maleve në Himalaje, përfshirë Everestin, i cili u ul me rreth 2.5 centimetra.
Tërmetet në mitologji
Në mitologjinë japoneze, tërmetet shkaktohen nga një peshk gjigant Namazu. Grekët besonin se ishte vepër e Poseidonit, ndërsa në traditën hindu, Toka qëndron mbi elefantë, mbi një breshkë e më pas mbi një gjarpër.
A i parashikojnë kafshët tërmetet?
Ka dëshmi që tregojnë se kafshët ndiejnë tërmetet përpara ndodhjes. Në cunamin e vitit 2004, shumë kafshë u vunë re duke ikur në vende më të larta, çka mund të lidhet me ndjeshmërinë ndaj mikrodridhjeve apo ndryshimeve në fushën elektromagnetike.
Shkencëtari që shpjegoi tërmetet
John Mitchell, një inxhinier britanik i shekullit XVIII, ishte ndër të parët që sugjeroi se tërmetet shkaktohen nga lëvizjet e shkëmbinjve në brendësi të Tokës, një teori revolucionare për kohën.
/Motilokal.com
