Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë që goditi Kamçatkën, me kërcënimin e një cunami për thuajse të gjithë vendet e Paqësorit dhe një shpërthim vullkanik të menjëhershëm, ka rikthyer në qendër të vëmendjes një prej kërcënimeve më të mëdha gjeologjike në botë: “Unazën e Zjarrit”.
Ky rajon përbën një nga zonat më aktive sizmike dhe vullkanike të planetit. Ai shtrihet përgjatë gjithë kufirit të Oqeanit Paqësor dhe përfshin vende si Japonia, Kili, Filipinet, SHBA-të, Indonezia dhe dhjetëra territore të tjera ishullore.
Çfarë është “Unaza e Zjarrit”?
E ashtuquajtura “Unaza e Zjarrit” është një hark gjeologjik i gjatë rreth 40,000 kilometra, ku takohen disa prej pllakave më të mëdha tektonike të Tokës. Këtu ndodhin përplasje intensive që shkaktojnë tërmete të fuqishme dhe shpërthime vullkanike masive.
- 90% e tërmeteve globale ndodhin në këtë zonë
- 81% e tërmeteve më të fuqishme në histori vijnë prej saj
- Mbi 75% e vullkaneve aktive dhe joaktive në Tokë gjenden aty
Zona tjetër më aktive në botë pas “Unazës së Zjarrit” është Sistemi Orogjenik Alpin, që shtrihet nga Indonezia në Mesdhe, duke prodhuar 5–6% të tërmeteve dhe 17% të atyre të fuqishëm.
Si u formua “Unaza e Zjarrit”?
“Unaza e Zjarrit” ekziston për shkak të lëvizjes së pllakave tektonike, që janë masa gjigante shkëmbinjsh që lëvizin ngadalë mbi mantelin e Tokës.
Kur një pllaka oqeanike zhytet nën një pllaka kontinentale, krijohen:
- Zonat e subduksionit, burim i tërmeteve të fuqishme
- Vullkane, si rezultat i ngritjes së magmës në sipërfaqe
Presioni që ndërtohet nga këto përplasje çlirohet në mënyrë të dhunshme, në formën e tërmeteve, shpërthimeve vullkanike dhe cunameve shkatërruese.
Cilat janë vendet më të rrezikuara?
Disa nga zonat më të ekspozuara ndaj aktivitetit sizmik dhe vullkanik janë:
Kili
Japoni
Indonezi
Ishujt Solomon
Bregu Perëndimor i SHBA-ve
Alaska
Meksikë
Peru
Zelanda e Re
Këtu, tërmetet me magnitudë mbi 8 ballë nuk janë të rralla dhe shpesh shoqërohen me cuname dhe rrezik të lartë për shpërthime vullkanike.
Pse nuk mund të parashikohen tërmetet?
Pavarësisht zhvillimeve shkencore, nuk ka ende një mënyrë për të parashikuar me saktësi kur dhe ku do të ndodhë një tërmet i madh. Siç thekson sizmologu Hongfeng Yang:
“Duhen dhjetëra mijëra vjet për të grumbulluar energji, por vetëm disa sekonda për ta çliruar.”
Pllakat tektonike lëvizin me disa centimetra në vit, por gjatë një tërmeti, ato mund të zhvendosen me disa metra për pak sekonda, duke shkaktuar shkatërrime masive.
Çfarë ndodh gjatë një shpërthimi vullkanik?
Aktiviteti vullkanik në “Unazën e Zjarrit” është rezultat i akumulimit të presionit nën tokë. Kur magma ngrihet në sipërfaqe, krijon:
- Shpërthime të fuqishme hiri dhe lavash
- Shtresa të reja toke, që ndërtojnë formacione vullkanike të reja
Ndërsa tërmetet janë çlirime të befasishme të energjisë që vijnë nga thellësi prej dhjetëra kilometrash, shpërthimet vullkanike janë procese të mëvonshme që pasojnë lëvizjet e pllakave.
“Unaza e Zjarrit” nuk është thjesht një term gjeologjik është një paralajmërim i vazhdueshëm për fuqinë shkatërruese të natyrës, që mund të ndryshojë jetën e miliona njerëzve brenda pak sekondash.
/Motilokal.com


