Të rriturit thithin rreth 68,000 grimca mikroplastike çdo ditë vetëm nga ajri i brendshëm, që është ekuivalente me rreth tre deri në katër grimca mikroplastike për frymëmarrje, sipas një studimi të ri të botuar në PLOS One nga shkencëtarët francezë. Ky vlerësim është 100 herë më i lartë se shifrat e mëparshme që përfshinin vetëm grimca më të mëdha.
Dallimi i madh në rezultate vjen nga përdorimi i spektroskopisë Raman, një teknikë e aftë për të zbuluar grimca me madhësi midis 1 dhe 10 mikrometra. Studimet e mëparshme ishin të kufizuara në grimca më të mëdha se 10 mikrometra, duke lënë pas dore kështu fragmentet më të vogla.
Efektet shëndetësore të thithjes së mikroplastikës mund të jenë më të rëndësishme nga sa mendojmë, theksojnë autorët e studimit.
Shkencëtarët francezë mblodhën mostra ajri nga tre apartamente në Tuluzë dhe nga dy vetura gjatë drejtimit të automjetit. Edhe pse ata analizuan vetëm 16 mostra për shkak të procesit jashtëzakonisht të gjatë (analizimi i një milimetri katror të filtrit zgjati 14 orë), rezultatet zbuluan një nivel të paparë detajesh. Rreth 97% e grimcave ishin fragmente të çrregullta të mikroplastikës, dhe 94% ishin me madhësi midis 1-10 mikrometra.
Dallim i madh në cilësinë e ajrit në shtëpi dhe vetura
Ajri i brendshëm përmbante rreth 528 grimca mikroplastike për metër kub, ndërsa brendësia e veturave kishte deri në 2,238 grimca për metër kub, ose katër herë më shumë.
Në shtëpi, dominonte polietileni, një material plastik që përdoret për paketimin e ushqimit dhe qeset, me një përqindje prej 76%. Në vetura, mbizotëronin poliamidi dhe materiale të tjera të brendshme. Dridhja, nxehtësia dhe rrezatimi UV përshpejtojnë zbërthimin e këtyre materialeve në grimca që mund të thithen.
Rreziqe të fshehura
Grimcat më të vogla se 10 mikrometra mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe madje të hyjnë në qarkullimin e gjakut. Këto fragmente plastike shpesh përmbajnë aditivë toksikë ose thithin ndotës të dëmshëm nga mjedisi. Pasi të vendosen në inde, ato mund të çlirojnë këto substanca, të prishin funksionin hormonal ose të rrisin rrezikun e kancerit.
Studimet e mëparshme mbi punëtorët kanë treguar se punonjësit në industritë e fibrave sintetike, siç është industria tekstile, kanë tre herë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive.
Një problem global, jo një rast i izoluar
Pavarësisht metodologjive dhe vendndodhjeve të ndryshme, studimet globale tregojnë shpërndarje të ngjashme të mikroplastikës në mjediset e brendshme. Edhe pse ky studim i ri nuk përfshinte nanoplastikat (më të vogla se 1 mikrometër), modelet parashikojnë miliona grimca të tilla për metër kub.
Të gjitha këto zbulime ngrenë një pyetje urgjente, sa mikroplastikë mund të tolerojnë organizmat tanë në mënyrë të sigurt kur kalojmë 90% të kohës sonë brenda?
/Motilokal.com
