Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, më 30 korrik 2025 ka filluar hetimet lidhur me deklarimet e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili ka ngritur shqetësime për praninë e telave elektrikë në liqenin e Ujmanit.
Sipas njoftimit të Policisë, më 30 korrik 2025, përmes mediave, përfaqësuesi i Shoqatës ka bërë të ditur se në ujërat e liqenit janë vërejtur tela elektrikë të zhytur, të cilët sipas tij mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
"I njëjti është intervistuar sot në cilësinë e dëshmitarit, ku ka deklaruar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka hasur në tela në ujë, dhe ka shprehur shqetësimin se, në rast aktivizimi, ata mund të jenë të rrezikshëm për qytetarët. Policia ka pranuar edhe një video që lidhet me këtë rast", thuhet në komunikatë.
Menjëherë pas pranimit të informatave, njësitë e Kontrollit Kufitar Ujor kanë ndërmarrë kontrolle në terren. Pas verifikimeve, është konstatuar se telat në fjalë nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe, për rrjedhojë, nuk paraqesin asnjë rrezik për sigurinë publike.
Policia gjithashtu thekson se deri më tani nuk është raportuar ndonjë rast i ngjashëm që lidhet me këtë çështje.
“Pas shqyrtimit të të gjitha provave dhe informatave të siguruara, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konstatuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale. Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të mos ndihen të shqetësuar apo të frikësuar, pasi çdo informacion apo rast i dyshimtë do të trajtohet me kujdes dhe seriozitet maksimal”, thuhet në njoftim.
Policia rikujton se Njësitë përkatëse të Kontrollit Kufitar Ujor, në bashkëpunim me njësi të tjera relevante, vijojnë patrullimet e rregullta në liqenin e Ujmanit, me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe monitorimin e gjendjes në terren.
/Motilokal.com
Foto: Arben Llapashtica
