Plastika, një kërcënim i nënvlerësuar për shëndetin e njeriut

Plastika, një kërcënim i nënvlerësuar për shëndetin e njeriut

Ndotja nga plastika po shihet gjithnjë e më shumë si një kërcënim serioz, por ende i nënvlerësuar për shëndetin e njeriut. Një grup ndërkombëtar shkencëtarësh dhe mjekësh ka ngritur alarmin në prag të një konference të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet një marrëveshje globale për menaxhimin e plastikës.

Në një analizë të publikuar në revistën prestigjioze The Lancet, 27 ekspertë paralajmërojnë se plastika është e dëmshme për shëndetin në çdo fazë të ciklit të saj, që nga prodhimi dhe përdorimi, deri te shpërbërja në mjedis. Më të rrezikuarit janë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, për shkak të ndjeshmërisë së lartë ndaj substancave toksike.

“Plastika ka vepruar si një rrezik i padukshëm, në hije të krizës klimatike dhe ndotjes së ajrit. Por provat e fundit tregojnë se ndikimi i saj është shumë më i madh sesa mendohej”, tha dr. Philip Landrigan, autori kryesor i raportit dhe drejtues i Observatorit Global për Shëndetin e Planetit në Boston College.

Këto deklarata vijnë në një moment kyç, përpara një raundi të ri negociatash që do të zhvillohet në Gjenevë, ku delegatë nga 170 vende do të diskutojnë për një traktat ndërkombëtar që synon reduktimin e ndotjes plastike. Raundi i mëparshëm në Korenë e Jugut dështoi për shkak të kundërshtimeve nga shtete që varen nga karburantet fosile dhe refuzojnë kufizimet për prodhimin e plastikës.

Raporti nënvizon një lidhje të qartë mes ekspozimit ndaj plastikës dhe sëmundjeve të rënda kronike, përfshirë kancerin, sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, problemet respiratore dhe dobësimin e sistemit imunitar. Megjithatë, një vlerësim i plotë i ndikimit të përgjithshëm në shëndetin global ende mungon.

Vetëm tre nga përbërësit kimikë më të përdorur në prodhimin e plastikës, përfshirë bisphenol A (BPA), shkaktojnë dëme ekonomike që vlerësohen në rreth 1.5 trilionë dollarë çdo vit në 38 vende. BPA lidhet me mbi 237 mijë vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe 194 mijë nga goditjet në tru.

Për të ndjekur më nga afër këtë çështje, është krijuar një mekanizëm i ri i pavarur: Lancet Countdown on Health and Plastics, i cili do të monitorojë ndikimin e plastikës në shëndetin publik në shkallë globale.

Dr. Landrigan thekson se nuk bëhet fjalë për ndalimin e plotë të plastikës, por për uljen e përdorimit të saj të panevojshëm. “Duhet të dallojmë mes përdorimeve thelbësore dhe atyre të dëmshme – si plastika njëpërdorimshe, që përbën rreth 40% të prodhimit botëror”, tha ai.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, ende të ndikuara nga politika e ish-presidentit Trump, vazhdojnë të kundërshtojnë traktatet mjedisore ndërkombëtare, ekspertët janë skeptikë për arritjen e një konsensusi në Gjenevë. Megjithatë, disa vende, si Brazili, kanë marrë rolin udhëheqës duke kërkuar eliminimin gradual të llojeve më të rrezikshme të plastikës.

/Motilokal.com