Bizneset lokale të turizmit në Alpet Shqiptare po njohin një transformim domethënës në cilësinë e shërbimeve që ofrojnë, falë programit TUI Future Shapers Albania, një iniciativë e përbashkët midis Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, GIZ Shqipëri dhe TUI Care Foundation.
Ky program synon të fuqizojë komunitetet vendase dhe të rinjtë përmes zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, duke investuar në trajnimin profesional dhe ngritjen e standardeve të mikpritjes.
Përmes kurseve të specializuara në fusha si:
- Shërbimi në dhoma dhe recepsion,
- Ushqim dhe pije,
- Marketing digjital,
- Rrëfimi i historive dhe krijimi i përvojave autentike, pritësit lokalë po pajisen me njohuri dhe aftësi praktike që i ndihmojnë të ofrojnë eksperienca më cilësore, të personalizuara dhe të paharrueshme për vizitorët vendas dhe të huaj.
“Turizmi i qëndrueshëm nuk ndërtohet vetëm mbi natyrën, por mbi njerëzit dhe kulturën. Ne po investojmë te komunitetet që mbajnë gjallë Alpet Shqiptare”, theksojnë përfaqësues nga GIZ Shqipëri dhe TUI Care Foundation.
Programi po ndikon drejtpërdrejt në forcimin e turizmit rural, duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe përmirësuar shërbimet, në funksion të një ekonomie lokale më të qëndrueshme dhe të integruar.
TUI Future Shapers, një nga organizatat më të njohura në fushën e turizmit të qëndrueshëm me seli në Holandë, ka rreth 80 projekte aktive në mbarë botën, dhe tashmë është i pranishëm edhe në Shqipëri falë bashkëpunimit me GIZ Albania.
Duke e trajtuar turizmin si një motor zhvillimi ekonomik, kjo iniciativë sjell mundësi të reja për zonat malore shqiptare dhe kontribuon në mbështetjen e komuniteteve pritëse në destinacione turistike të veçanta.
Krahas kësaj nisme, turizmi malor në vend pritet të përjetojë një rritje të ndjeshme edhe si rezultat i “Paketës së Maleve”, një politikë e re qeveritare që mbështet investimet në zonat malore, duke krijuar një klimë të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre territoreve.
/Motilokal.com
