Vetëm pak kilometra larg Tiranës dhe Durrësit, Gjiri i Lalëzit në komunën e Ishmit mirëpret mijëra pushues vendas dhe të huaj çdo verë.
Ky plazh ndodhet në veri të Durrësit, përgjatë bregdetit të Adriatikut, midis Kepit të Rodonit në veri dhe Bishtit të Pallës në jug. I njohur për pastërtinë e ujit dhe rërës, Gjiri i Lalëzit ofron kushte të mira higjienike dhe shërbime cilësore për pushuesit e të gjitha moshave.
Pamje nga ky destinacion turistik u shpërndanë së fundmi edhe nga Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke e vënë në qendër të vëmendjes për bukurinë dhe potencialin që ofron.
Me 62 kilometra vijë bregdetare në total, qarku i Durrësit ka një pjesë të rëndësishme të saj, plot 25 kilometra, që i përkasin Gjirit të Lalëzit. Kjo zonë është kthyer në një pikë referimi për turizmin bregdetar, natyror, sportiv dhe kulturor.
Përveç relaksit në plazh, vizitorët mund të shijojnë kampingje në natyrë, shëtitje me biçikleta, turizëm religjioz në Kishën e Shën Ndout, apo të eksplorojnë historinë te Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit. Gjiri i Lalëzit ofron gjithçka që kërkon një pushues – qetësi, bukuri natyrore, aktivitete dhe kulturë.
/Motilokal.com
