Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka apeluar sot tek redaksitë e mediave në Kosovë që të respektojnë dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjatë raportimeve, xhirimeve dhe intervistave të realizuara në hapësirat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Reagimi i AIP-së vjen pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarë që përdorin aeroportin dhe kanë raportuar për publikimin e pamjeve apo intervistave pa pëlqimin e tyre.
Në njoftim theksohet rëndësia e ruajtjes së privatësisë së udhëtarëve, shmangies së xhirimeve pa pëlqim, koordinimit me autoritetet e aeroportit dhe evitimit të raportimeve sensacionale që mund të cenojnë dinjitetin e individëve.
AIP kërkon nga gazetarët që edhe kur kanë pëlqimin e personit të intervistuar, të tregojnë kujdes për personat e tjerë që mund të shfaqen në pamje pa lejen e tyre.
Institucioni kujton se respektimi i standardeve ligjore dhe etike është thelbësor, ndërsa shprehet i gatshëm të ofrojë mbështetje dhe këshillim për mediat në zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
/Motilokal.com
